Nxënësit e Suharekës në garë për përfaqësim në Olimpiadën Republikane të Matematikës
Sot, Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA) në Suharekë, në bashkëpunim me Olimpiadën e Matematikës së Kosovës (OMK), ka organizuar garat e matematikës në nivel komunal.
Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i Arsimit në Suharekë, Remzi Bajselmani, i cili theksoi se në këto gara kanë marrë pjesë nxënës nga klasa e 7-të deri në klasën e 12-të, duke dëshmuar nivel të lartë të përgatitjes dhe interesim të madh për shkencat ekzakte.
Sipas tij, kjo veprimtari ka për qëllim identifikimin dhe promovimin e nxënësve të talentuar në matematikë, si dhe përgatitjen e tyre për garat e nivelit më të lartë. Fituesit e garave komunale do ta përfaqësojnë Komunën e Suharekës në garat republikane, të cilat do të mbahen në Prishtinë më 10 janar 2026.
Në fund, drejtori Bajselmani uroi suksese për të gjithë pjesëmarrësit, duke i inkurajuar ata që të vazhdojnë angazhimin dhe punën e palodhshme në fushën e dijes.
Garat e matematikës konsiderohen një ndër aktivitetet më të rëndësishme edukative, që nxisin konkurrencën e shëndoshë dhe zhvillimin e mendimit logjik te nxënësit.