Nisin punimet për rindërtimin e rrugës Kijevë–Malishevë
Kanë nisur punimet për rindërtimin e rrugës rajonale Kijevë–Malishevë, një projekt infrastrukturor që sipas Qeverisë së Kosovës konsiderohet jetik për banorët e Malishevës dhe zonës së Llapushës.
Në ceremoninë e fillimit të punimeve morën pjesë kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha.
Kurti tha se projekti përfshin rindërtimin e plotë të rrugës, nga baza deri te asfaltimi final, duke theksuar se deri më tani kjo rrugë ka pasur vetëm arnime dhe mirëmbajtje të përkohshme.
Sipas tij, rruga ka gjatësi mbi 11 kilometra, ndërsa faza e parë e punimeve përfshin 8.5 kilometra. Ai bëri të ditur se pjesa tjetër do të procedohet së shpejti përmes procedurave të prokurimit.
Kryeministri në detyrë theksoi se rruga përdoret çdo ditë nga banorët e 18 fshatrave dhe ka rëndësi të veçantë për lidhjen e Malishevës me rrugën nacionale për Pejë, si dhe për zhvillimin e turizmit drejt Ujëvarat e Mirushës.
Ai njoftoi se projekti parashihet të përfundojë brenda 225 ditëve pune dhe do të përfshijë trotuare, stacione autobusësh, sinjalizim modern dhe sistemim të ujërave atmosferikë për rritjen e sigurisë në komunikacion.
Kurti bëri të ditur se krahas këtij projekti, Qeveria po financon edhe rrugën nga Llapqeva deri te Ujëvarat e Mirushës me 700 mijë euro, si dhe projektin për rrugën Malishevë–Arllat në vlerë prej 2.6 milionë euro.
Sipas tij, për një periudhë të shkurtër mbi 5.6 milionë euro do të investohen në infrastrukturën rrugore të Malishevës.
