Nis procesi zgjedhor për Parlamentin e ri Evropian

06.06.2024

Në Holandë nisi sot votimi për Parlamentin e ri Europian, duke i hapur udhë procesit zgjedhor 4-ditor në të gjithë Europën. Zgjedhjet pritet të forcojnë pozitat e të djathtës ekstreme ndërsa parlamenti i ri do të përballet me më shumë sfida np aspektin politik, industrial dhe të sigurisë.

Nis procesi zgjedhor për Parlamentin e ri Evropian Foto: Ilustrim

Rreth 400 milionë votues do të zgjedhin 720 ligjvënësit e rinj të Parlamentit Europian.

Rezultati i tyre do të ketë një ndikim të ndjeshëm në një sërë çështjesh nga politikat globale mbi ndrsyshimet klimatike, tek mbrojtja dhe emigracioni dhe marrëdheniet gjeopolitike me Kinën dhe Shtetet e Bashkuara.

Në Estoni, votuesit do të mund të votojnë për 6 ditë me radhë, në procesin që nisi të hënën, por Holanda ështe i vetmi vend në Bashkimin Europian që zhvillon zgjedhjet në një ditë të vetme.

Të premten do të votohet në Irlandë, të shtunën në Maltë, Sllovaki dhe Letoni, ndërsa në gjithë vendet e tjera të Bashkimit Europian, të dielën.

Rezultatet pritet të dalin të dielën në mbrëmje.

Zgjedhjet në Holandë zhvillohen 6 muaj pasi forca e ekstremit të djathtë të Geert Wildersit, Partia e Lirisë, u bë partia më e madhe në parlamenin holandez. Si shumë parti të tjera në gjithë bllokun europian, ai kërkon të fuqizojë pozitat në Parlamentin Europian, në mënyrë që të dobësojë nga brenda institucionet europiane.

“Duhet të keni prani më të fortë në Parlamentin Evropian dhe të siguroheni që, nëse është e nevojshme, të jemi në gjendje të ndryshojmë udhëzimet evropiane në mënyrë që të vendosim vetë për politikat tona të emigracionit dhe azilin,” tha zoti Wilders pas votimit, në Hagë.

Zoti Wilders nuk arriti të sigurojë një vend në zgjedhjet e fundit të Parlamentit Europian në vitin 2019. Edhe pse anketimet tregojnë se qendra e djathtë ne Evropë pritet të fitojë shumicën e vendeve në legjislaturën e re europiane, partitë e ekstremit të djathtë pritet të shënojmë më shumë fitore.

Qëndrimet e zoti Wilders, kryeministres së Italisë Giorgia Meloni dhe udhëheqëses së opozitës franceze Marine Le Pen janë në kontrast të thellë me shumicën e partive të majta dhe të qendrës, të cilat mbrojnë qasjen për një Evropë më të bashkuar në çdo drejtim nga ndryshimet klimatike deri tek masat për mbrojtjen, duke argumentuar se nëse një vend qëndron vetëm do të ketë një zë më të dobët në skenën botërore.

Anketimet tregojnë se partitë pro-europiane dhe ato të qendrës së majtë dhe të djathtë dhe liberalët do të kenë një shumicë më të vogël se Parlamenti Europian aktual, duke ndërlikuar përpjekjet për të çuar përpara ligje të reja europiane dhe për zgjerimin e Evropës.

Mandati i parlamentit të ri do të përfundojë në vitin 2029. Ai do të vendosë për buxhetin e ardhshëm shtatëvjeçar të BE-së, i cili duhet të hyjë në fuqi në vitin 2028, ndërsa Ukraina, Moldavia dhe vendet e Ballkanit Perëndimor kërkojnë anëtarësimin në Evropë./VOA