Nezir Çoçaj dëshmon në Hagë për ngjarjet në MUP-in e Prizrenit
Dhomat e Specializuara e Kosovës në Hagë vazhdon të dëgjojë dëshmi të reja në lidhje me akuzat ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Sot, dëshmitar i radhës është Nezir Çoçaj, një ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Zona e Pashtrikut.
Çoçaj, i cili është dëshmitari i 104-të në këtë proces, pritet të ndajë me gjykatën çfarë ka parë dhe dëgjuar gjatë kohës që ka shërbyer në UÇK, me fokus të veçantë në ngjarjet që kanë ndodhur në ndërtesën e MUP-it në Prizren gjatë qershorit të vitit 1999.
Sipas prokurorisë, dëshmitari do të flasë për strukturën dhe organizimin e UÇK-së, si dhe për kontaktet e tij me anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm. Pritet që ai të japë detaje të rëndësishme për rolin e disa figurave kyçe të UÇK-së në ngjarjet e pasluftës.
Një pjesë e rëndësishme e dëshmisë së Çoçajt pritet të fokusohet në rekrutimin e tij në Shërbimin Informativ të Kosovës (ShIK) nga Ferat Shala. Sipas dëshmitarit, Shala i ka thënë se ShIK po themelohej dhe se kërkoheshin njerëz të besueshëm për të qenë pjesë e tij.
Dëshmia e Nezir Çoçajt pritet të zgjasë rreth një ditë dhe të shërbejë si një tjetër pjesë e mozaikut në këtë proces gjyqësor kompleks.