Nesër seanca e fundit para skadimit të afatit kushtetues, pritet prania e ambasadorëve ndërkombëtarë
Nesër nga ora 11:00 do të mbahet vazhdimi i radhës i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, që konsiderohet si mundësia e fundit për konstituimin e tij, përpara përfundimit të afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Kjo seancë vjen pas ndërprerjes së seancës së 51-të të mbajtur të mërkurën, e cila përfundoi pa marrë ndonjë vendim konkret. Ajo u ndërpre nga kryesuesi, pas një debati të ashpër me deputeten e PDK-së, Ganimete Musliu, në momentin kur pritej të hidhej në votim Komisioni për votim të fshehtë – një hap kyç që nuk u realizua.
Duke marrë parasysh rëndësinë e kësaj seance, Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka paralajmëruar pjesëmarrjen e tij në sallën e Kuvendit, së bashku me kolegë të tjerë ndërkombëtarë.
“Duke qenë se nesër është mundësia e fundit për të konstituuar Kuvendin para afatit të Gjykatës Kushtetuese, Ambasadori Rohde, së bashku me kolegë të tjerë ndërkombëtarë, planifikon të marrë pjesë në seancën në parlament”, ka bërë të ditur Ambasada gjermane.