Në tetor nis bartshmëria e numrave në Kosovë, përdoruesit mund të mbajnë të njëjtin numër edhe pas ndërrimit të operatorit
Gjatë muajit tetor pritet të funksionalizohet në Kosovë Sistemi i Bartshmërisë së Numrave, i njohur si Mobile Number Portability (MNP), i cili do t’u mundësojë përdoruesve të telefonisë që ta mbajnë të njëjtin numër edhe kur ndërrojnë operatorin mobil.
Foto: Ilustrim
Sipas informacioneve të publikuara nga Buletini Ekonomik, me funksionalizimin e këtij sistemi, përdoruesit do të mund ta ruajnë numrin e telefonit, përfshirë edhe prefiksin, pavarësisht operatorit të ri.
Kjo nënkupton se prefikset si 044 dhe 049 nuk do të tregojnë më domosdoshmërisht se cilit operator i përket një numër telefoni.
Bartshmëria e numrave pritet t’u japë konsumatorëve më shumë liri në zgjedhjen e operatorit, pasi ndërrimi i ofruesit nuk do të kërkojë më ndryshimin e numrit të telefonit. Njëkohësisht, sistemi synon të rrisë konkurrencën ndërmjet operatorëve, duke i orientuar ata drejt ofertave dhe shërbimeve më tërheqëse për konsumatorët.
Ligji për Komunikimet Elektronike përcakton se ofruesit e shërbimeve publike të komunikimeve elektronike duhet t’u mundësojnë parapaguesve bartjen e numrave gjatë ndërrimit të ofruesit, në përputhje me procedurat dhe kushtet e përcaktuara nga ARKEP.
Sipas raportit vjetor të ARKEP-it, gjatë vitit 2024 ishin caktuar numrat e rutimit për Telekomin e Kosovës dhe IPKO-n, ndërsa ishin finalizuar edhe rregullat për procesin e bartjes. Po atë vit ishte përzgjedhur kompania për implementimin e sistemit dhe ishte dhënë autorizimi për ofrimin e shërbimit të bartshmërisë.
Sistemi do të zbatohet edhe për numrat e telefonisë fikse.
Rregullat e ARKEP-it parashohin gjithashtu që operatorët t’u ofrojnë përdoruesve mundësi për të verifikuar se në cilin rrjet ndodhet aktualisht një numër i caktuar.
Kosova pritet të jetë vendi i fundit në rajon që e funksionalizon sistemin e bartshmërisë së numrave.
