Në pandemi u rritën investimet e huaja në Kosovë

06.08.2021

Përkundër faktit se vitin e kaluar pandemia me COVID-19 e kaploi botën, investimet e huaja në Republikën e Kosovës në po të njëjtin vit kanë shënuar rritje. Pavarësisht faktit se e gjithë bota u ballafaqua me pandeminë, ku shumë aktivitete u mbyllën, por kjo nuk ka ndikuar në investimet e huaja në Kosovë. Gjatë vitit […]

Në pandemi u rritën investimet e huaja në Kosovë Foto: Ilustrim

Përkundër faktit se vitin e kaluar pandemia me COVID-19 e kaploi botën, investimet e huaja në Republikën e Kosovës në po të njëjtin vit kanë shënuar rritje.

Pavarësisht faktit se e gjithë bota u ballafaqua me pandeminë, ku shumë aktivitete u mbyllën, por kjo nuk ka ndikuar në investimet e huaja në Kosovë.

Gjatë vitit 2020, vlera e investimeve ndërkombëtare në shtetin e Kosovës ka arritur deri në 341.7 milionë euro, apo 34.2 për qind më shumë se vitin paraprak, ku në atë vit vlera e investimeve kishte arritur deri në 254.6 milionë euro.

Ndërsa, sa i përket katër muajve të parë të këtij viti aktual, vlera e investimeve të huaja ka arritur deri në 142 milionë euro.

Duke u referuar raportit vjetor të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), rritje e investimeve të huaja në vend u evidentuar kryesisht në sektorin e xehtarisë dhe gurorët me 28 për qind.

Po ashtu, sipas Bankës Qendrore, rritja është evidentuar edhe në sektorët e aktiviteteve financiare dhe asaj energjetike.

Në anën tjetër, sektori i patundshmërive, i cili përbën sektorin me pjesëmarrjen më të lartë në strukturën e investimeve të huaja, gjatë vitit 2020, kur Kosova u përball me pandemi, sipas Bankës Qendrore të Kosovës, ka shënuar rënie për 10 për qind.

Në Kosovë për në tre vjetët e fundit janë regjistruar 1.736 kompani me investitorë të huaj. Nga këto, vetëm gjatë këtij viti janë regjistruar 453 kompani, 585 vitin e kaluar kur vendi është përballur me COVID 19, kurse në vitin 2019, 698 kompani nga shtetet tjera.

Emrush Ujkani, drejtor ekzekutiv i Këshillit të investitorëve evropianë në Kosovë, tha se përveç rritjes së vlerës së investimeve, edhe gjatë këtij viti ka interesim të madh të investitorëve ndërkombëtarë që kapitalin e tyre ta shtrijnë në Kosovë. Numri më i madh i të interesuarave, sipas Ujkanit, janë nga Gjermania, Britania e Madhe, Zvicra dhe Austria. Rritja e interesimit, sipas tij, ka ndodhur për shkak të infrastrukturës së mirë ligjore, por edhe miratimit të Ligjit për investimet strategjike.

“Fokusi më i madh ka qenë te pjesa e investimeve strategjike, aty ku ligji më tepër i ka dhënë hapësirë. Ne konsiderojmë se këto ligje paraqesin bazament të mirë që të bëhet biznes në rrethana jo shumë të vështira, por e para duhet të ketë një përpjekje më të madhe për të zbatuar ligjin drejtë dhe si duhet”, thekson Ujkani për Radion Evropa e Lirë.

Ligji për investime strategjike ka hyrë në fuqi në shkurt të vitit 2017. Sipas këtij ligji, vëllimi i investimit për të fituar statusin e investimit strategjik është nga 10 deri në 30 milionë euro, varësisht nga sektori./REL/