Ndërprerje të rrymës për shkak të mbingarkesës, bizneset e Suharekës dhe qyteteve të tjera ankohen për dëme
Ngjashëm si fundvitin e kaluar, shumë qytetarë të Kosovës po përballen sërish me ndërprerje të herëpashershme të energjisë elektrike.
Foto: Ilustrim
Në ditët e fundit, ndërprerje ka pasur nëpër shumë qytete, si në Rahovec, Prizren, Lipjan, Gjilani, Suharekë, Viti e Prizren.
Kompania Kosovare për Shpërndarjen e Energjisë (KEDS) thotë se shkak është mbingarkesa në rrjet dhe sugjeron përdorim “të përgjegjshëm” të energjisë elektrike.
“Ditët e fundit, konsumi i energjisë elektrike ka tejkaluar edhe rekordet e mëparshme të ngarkesës së regjistruar në sistem”, thuhet në reagimin e KEDS-it.
Sipas tyre, problemi shfaqet më së shumti prej orës 9:00 deri në 12:00, prej 16:00 deri në 20:00 dhe prej 22:00 deri në 23:00. Për këtë arsye, KEDS ka kërkuar prej qytetarëve që të përshtaten ashtu që të mënjanohet përdorimi i tepërt i energjisë në këto orare.
“Me pak kujdes dhe kursim gjatë këtyre intervaleve, ndihmojmë që sistemi të funksionojë sigurt dhe pa mbingarkesa, veçanërisht në prag të festave të fundvitit”, thuhet në reagimin e KEDS-it.
Tutje, ata thonë se po ndërmarrin “veprimet balancuese për rishpërndarjen e ngarkesave gjatë vitit”.
Por, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës ka kërkuar zgjidhje më urgjente të problemit pasi që thotë se bizneset po pësojnë nga këto ndërprerje.
“Gjatë ditëve të fundit, DHTIK është njoftuar nga një numër i madh i bizneseve anëtare se po përballen me ndërprerje të shpeshta dhe të pa planifikuara të energjisë elektrike, të cilat po shkaktojnë rritje të menjëhershme të kostove operative, humbje në prodhim dhe rrezikim të vazhdueshëm të funksionimit të tyre”, thuhet në reagimin e DHTIK-ut.
Sipas njoftimit të KEDS-it, mbingarkesa në rrjet këtë vit është edhe më e madhe sesa vitin e kaluar./REL/