Myftiu Naim ef. Tërnava uron Ramazanin dhe Ditën e Pavarësisë

18.02.2026

Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, ka përcjellë një mesazh urimi me rastin e fillimit të muajit të bekuar Ramazan, i cili këtë vit përkon me 17 Shkurtin – Ditën e Pavarësisë së Kosovës. Në fjalën e tij, Myftiu theksoi se Ramazani është muaj i dritës, mëshirës dhe pastrimit shpirtëror, që forcon vlerat e durimit, faljes dhe solidaritetit ndërmjet njerëzve.

Ai vuri në pah se dashuria ndaj fesë dhe dashuria ndaj atdheut nuk janë në kundërshtim, por plotësojnë njëra-tjetrën, duke ndërtuar karakter të fortë moral dhe përgjegjësi qytetare.

Duke kujtuar sakrificën e gjatë për liri dhe shpalljen e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, Myftiu Tërnava u bëri thirrje qytetarëve që Ramazanin ta shndërrojnë në kohë reflektimi, uniteti dhe paqeje shoqërore.

Në fund, ai uroi që ky muaj i shenjtë të sjellë më shumë bashkim, besim dhe solidaritet, duke i dëshiruar popullit të Kosovës një Ramazan të begatë dhe plot mirësi.