MSh: Kosova në fillim të valës së re të COVID-19

05.01.2022

Ndonëse, Ministria e Shëndetësisë vazhdimisht ka bërë dhe vazhdon t’u bëjë thirrje qytetarëve për marrjen e dozës së vaksinës anti-COVID, ndërsa ata që janë vaksinuar me dy dozat mund ta marrin edhe dozën e tretë. Masat kundër COVID-19 që janë në fuqi e kanë dëshmuar se kanë efekt në normalizimin e situatës epidemiologjike, mund ta […]

Ndonëse, Ministria e Shëndetësisë vazhdimisht ka bërë dhe vazhdon t’u bëjë thirrje qytetarëve për marrjen e dozës së vaksinës anti-COVID, ndërsa ata që janë vaksinuar me dy dozat mund ta marrin edhe dozën e tretë.

Masat kundër COVID-19 që janë në fuqi e kanë dëshmuar se kanë efekt në normalizimin e situatës epidemiologjike, mund ta marrin shembull edhe muajt e fundit të vitit që lamë pas, ku me masat anti-COVID situata shkoj drejt normalizimit.

Se çfarë ka mundur të ndikojë në rritjen e numrit të rasteve të infektimeve me COVID-19, këtë e ka treguar zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku.

Gexha-Bunjaku ka thënë se ardhja e mërgimtarëve nga Gjermania dhe Zvicra mund të ketë ndikuar në rritjen e rasteve me COVID-19.

Zëvendësministrja Gexha-Bunjaku thotë se Kosova është në fillim të një vale të re infektimi me koronavirus.

“Jemi në fillim të një vale të re infeksionesh me coronavirus. Mirëpo kjo valë do të varet nga reagimi jonë si institucione por edhe nga reagimi i qytetarëve pasi kemi dy vite që përballemi me pandeminë dhe është mirë t’i shmangemi faktorëve të rrezikut”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Gexha-Bunjaku.

“Rritja e numrit të rasteve të infektimit ka mundur të ndodhë pasi në këtë kohë kemi pasur një shtim të popullsisë në Kosovë gjatë dy javëve të fundit. Kanë ardhur mërgimtarë nga vende që kanë një situatë tejet të rënduar me pandemi siç janë Zvicra dhe Gjermania”, deklaroi tutje Gexha-Bunjaku.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë ka shtuar se së shpejti do të diskutohet nevoja ose jo e shtimit të masave anti-COVID në vend.

“Ne tashmë kemi caktuar takim me Komisionin Këshillëdhënës që i raporton Ministrit të Shëndetësisë, dhe më pas do të jetë takimi me Komitetin që jep rekomandime për vlerësimin e situatës me pandeminë në vend, dhe më pas sigurisht se do të merren masat e nevojshme”, deklaroi tutje Gexhaj-Bunjaku.