MPJD njofton për evakuimin e qytetarëve kosovarë nga Izraeli

25.06.2025

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), në koordinim të ngushtë me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Izrael, ka përmbyllur me sukses evakuimin e disa qytetarëve kosovarë nga territori i Izraelit, në ditët e para të përshkallëzimit të situatës së sigurisë në këtë vend.

Evakuimi është realizuar përmes Jordanisë dhe Egjiptit, duke u siguruar udhëtim i sigurt për qytetarët tanë.

Ky proces është zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet izraelite dhe me mbështetjen e ambasadave të Shqipërisë, Bullgarisë, Greqisë dhe Egjiptit në Izrael. MPJD ka shprehur mirënjohjen e saj për kontributin e këtyre shteteve në lehtësimin e operacionit të evakuimit.

Ndërkohë, MPJD ka njoftuar se po ndjek nga afër gjendjen e një shtetaseje të Kosovës e cila ndodhet në trajtim mjekësor në spitalin “Soroka” në qytetin Be’er Sheva – zonë ku së fundmi është raportuar për një sulm. Fatmirësisht, shtetasja nuk ka qenë e pranishme gjatë incidentit dhe aktualisht gjendet në gjendje të mirë shëndetësore. Ambasada e Kosovës në Izrael është në kontakt të vazhdueshëm me familjen e saj dhe është në pritje të krijimit të kushteve për evakuimin e saj të mundshëm.

Gjithashtu, një qytetar tjetër kosovar është në proces të largimit nga Izraeli përmes Egjiptit, me ndihmën dhe koordinimin e Ambasadës.

Sipas të dhënave të fundit, aktualisht në Izrael ndodhen edhe 13 qytetarë të Republikës së Kosovës, të cilët nuk kanë shprehur interesim për evakuim deri në këtë fazë. Ambasada e Kosovës mbetet në gatishmëri të plotë për t’iu përgjigjur çdo kërkese për ndihmë nga qytetarët dhe është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet izraelite dhe partnerët ndërkombëtarë për çdo mundësi të mëtejme evakuimi.

Për shkak të përkeqësimit të vazhdueshëm të situatës së sigurisë në Izrael, MPJD u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që ndodhen në këtë territor të tregojnë kujdes maksimal dhe të qëndrojnë vetëm në zona të sigurta.

Qytetarët këshillohen që të ndjekin me përpikëri udhëzimet dhe paralajmërimet zyrtare nga Komanda e Mbrojtjes së Brendshme të Izraelit, të cilat janë të përditësuara dhe të disponueshme në gjuhën angleze në faqen zyrtare:

👉 https://www.oref.org.il/eng

📞 Për çdo pyetje apo nevojë urgjente, qytetarët mund të kontaktojnë Ambasadën e Kosovës në Izrael në:

📱 +972 (0) 586 340 450

📧 [email protected]

MPJD do të vazhdojë të informojë rregullisht publikun lidhur me çdo zhvillim të ri në këtë çështje.