MPB ndalon rreptësisht ndezjen e zjarreve në ambiente të hapura, Sveçla: Shkelësit do të përballen me masa ndëshkuese
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka marrë vendim për ndalimin e rreptë të ndezjes së zjarreve në të gjitha ambientet e hapura në të gjithë territorin e Kosovës. Lajmin e ka bërë të ditur ministri në detyrë, Xhelal Sveçla, i cili ka theksuar se masa vjen si pasojë e rrezikut të shtuar nga temperaturat e larta dhe thatësia.
Përmes një njoftimi të shpërndarë në kanalet zyrtare, ministri Sveçla ka bërë të qartë se ndalimi përfshin çdo lloj zjarri, duke përfshirë djegien e mbeturinave, zjarret në pyje, fusha e livadhe, si dhe ndezjet për qëllime rekreacioni, pikniku apo edhe hedhjen e fishekzjarrëve.
“Duke marrë parasysh rrezikun e shtuar nga temperaturat e larta dhe thatësia, si dhe për të parandaluar dëmtimet në mjedis, pasuritë private e publike dhe sigurinë e qytetarëve, sot kemi marrë vendim përmes së cilit ndalohet rreptësisht ndezja e zjarreve në të gjitha ambientet e hapura,” ka deklaruar Sveçla.
Ministri ka paralajmëruar se mosrespektimi i këtij vendimi do të ketë pasoja ligjore. Ai ka theksuar se ndezja e zjarrit konsiderohet vepër penale dhe se të gjithë shkelësit do të përballen pa hezitim me masat ndëshkuese të parapara me legjislacionin në fuqi.
“Ndezja e zjarreve është vepër penale andaj shkelësit e këtij vendimi do të përballen menjëherë e pa dilemë me masat ndëshkuese që parasheh legjislacioni ynë,” ka shtuar ai.
Në fund, Sveçla u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal dhe të respektojnë plotësisht këtë vendim, duke evituar çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr ose të kontribuojë në përhapjen e tij.
MPB ka rikujtuar qytetarët se në rast të vërejtjes së ndonjë zjarri apo rreziku potencial, duhet të lajmërojnë menjëherë organet kompetente duke telefonuar në numrin emergjent të zjarrfikësve 193 ose Policinë e Kosovës në numrin 192.