Ministri Vitia: Synojmë 500 mijë vaksinime kundër COVID-19 brenda një muaji
Është duke vazhduar procesi i vaksinimit kundër COVID-19 për qytetarët e Republikës së Kosovës. Përkundër faktit se më 15 qershor ka filluar vaksinimi masiv i popullatës kundër këtij virusi, por një gjë e tillë nuk po ndodh pasi që vaksinimi masiv parasheh të vaksinohen shumë më shumë persona se para 15 qershorit. Infektologu, Ilir Tolaj […]
Është duke vazhduar procesi i vaksinimit kundër COVID-19 për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Përkundër faktit se më 15 qershor ka filluar vaksinimi masiv i popullatës kundër këtij virusi, por një gjë e tillë nuk po ndodh pasi që vaksinimi masiv parasheh të vaksinohen shumë më shumë persona se para 15 qershorit.
Infektologu, Ilir Tolaj ka thënë se është evidente që vaksinim masiv nuk ka, dhe se në ditë do të duhej të vaksinoheshin mbi 30 mijë persona e jo vetëm 4 mijë sa janë duke u vaksinuar.
“Është evidente që vaksina mjaftueshëm nuk ka dhe furnizimi me vaksina ende nuk është bërë në nivelin në të cilin duhet që mandej të jetë i mundur që të bëhet një vaksinim masiv. Për këtë arsye besoj që nuk ka vaksinim masiv. Vetë terminologjia e vaksinimit masiv nënkupton një vaksinim në të cilin do të përfshihet një numër jashtëzakonisht i madh i njerëzve në shumë pika të vaksinimit duke përmbushur një numër i cili do të tejkalonte 30 mijë të vaksinuar në ditë. Ndërsa tash po shohim se janë 4000 vaksinime në ditë”, tha Tolaj.
Tolaj theksoi se variante ka pasur që nga fillimi i pandemisë dhe tashmë është prezent edhe varianti Delta.
Sipas tij, nëse vazhdon që vaksinimi të jetë i mangët, atëherë mundësia e varianteve të reja është e mundur edhe në të ardhmen.
Ndërsa gjatë javës së ardhshme në vend pritet të arrijë kontingjenti i parë me dozat e vaksinave të cilat janë blerë nga Qeveria e Kosovës.
Numri i vaksinave që do të vijnë nuk po bëhet e ditur për shkak të kontratës mes Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë Pfizer, por megjithatë do të mundësojnë që plani i vaksinimit masiv kundër COVID-19 të vazhdojë.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia deklaroi se i gjithë ky plan po shkon mirë.
Duke u ndalur të vaksinimi masiv, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, deklaroi për KosovaPress se synim i tyre mbetet që brenda një muaji të realizohen deri në 500 mijë vaksinime.
Sipas tij, falë organizimit të mirë, është dëshmuar se ka deri në 8 mijë vaksinime në ditë pa asnjë problem, si për profesionistët shëndetësorë ashtu edhe për qytetarët.
“Në ditët e para nga 15 qershori kur ka filluar të zbatohet ky plan e kemi parë që pa asnjë problem, pa asnjë stres, as për punëtorët shëndetësorë dhe as grumbullim për qytetarët, kemi arritur që nga 2500 deri 3000 vaksinime që janë bërë më herët, kemi arritur numrin prej 8000 qytetarëve të vaksinuar brenda dite dhe natyrisht javën e ardhshme pritet kontingjenti i pari i vaksinave Pfizer nga kontrata që e kemi nënshkruar që të vijnë në Kosovë dhe i gjithë plani do realizohet në bazë të numrit të vaksinave që do i kemi në stok”, tha ai.