Ministri i Bujqësisë Faton Peci për LDK-në: Është shndërruar në shoqëri aksionare, refuzon gjithçka
Deputeti i koalicionit LVV-Guxo-Alternativa, Faton Peci, ka sulmuar sot Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) për refuzimin e takimit me kryeministrin Albin Kurti, duke e akuzuar se është shndërruar në “shoqëri aksionare”.
Para fillimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Peci deklaroi për media se ka përshtypjen që LDK-ja e sotme nuk është ajo e së kaluarës, duke aluduar në ndikimin e “aksionarëve” në vendimmarrjen e partisë.
Ndoshta aksionarët i thonë një kryetari se duhet me refuzuar gjithçka, por megjithatë meqë kam qenë një kohë të gjatë pjesë e LDK-së, ajo në çka LDK është angazhuar në të kaluarën nuk është kjo LDK-ja sot, por si duket Rruga e Re është një projekt i ri politik që nuk ka të bëjë më të kaluarën”, tha Peci.
Peci gjithashtu komentoi deklaratën e Gani Gecit, i cili pretendoi se Glauk Konjufca i kishte kërkuar votën vajzës së tij, Marigona Gecit. Ai tha se ka respekt për familjen Geci, por se komunikimet politike nuk duhet të bëhen publike.
“Sa i përket diskutimeve që janë bërë në media, rreth një telefonate nuk e di a ka ndodhur. Unë personalisht kam respekt për familjen Geci, në radhë të parë për baçin Lil që është vëllai me moshën më të madhe në atë familje, por sidoqë të jetë një mesazh miqësor për z. Gani Geci, komunikimet që ndodhin edhe me sms edhe me thirrje telefonike në politikë nuk është pjekuri që të shfaqen në media. Ju mundeni me pyet z. Gani Geci a i ka dërguar dikujt nga koalicioni VV-Lista Guco dhe Alternativa ndonjë sms ku ka shprehur simpatinë dhe vullnetin e tij që të ketë një bashkëpunim”, tha Peci.
Ai u bëri thirrje deputetëve të opozitës të kontribuojnë në formimin e Kuvendit, duke theksuar se bllokada institucionale është çështje e përgjegjësisë së liderëve të partive opozitare.
“Në opinion duhet me dalë ajo që ka interes politik. Nëse dikush është në një gjendje që e ndjen barrën dhe përgjegjësinë, por që është i shtrënguar nga lidershipi që mos t’i japë mundësi themelimit të Kuvendit dhe konstituimit të institucioneve, kjo është çështje që duhet me ia adresuar kryesisht liderëve të partive opozitare. Kjo nuk është çështje oferte dhe kërkese, kjo është çështje e përcaktimit të LVV-së dhe partnerëve të saj për emrin e Albulena Haxhiut”, përfundoi Peci.