Migrimi rrit mungesën e punëtorëve, bizneset angazhojnë të pensionuarit

24.08.2022

Mungesa e punëtorëve në Kosovë si pasojë e migrimit të të rinjve, po i detyron bizneset që të marrin punëtorë madje edhe të pensionuar. Kështu ka thënë për Radio Kosovën kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi. Ai tutje ka thënë  se qeveria nuk po krijon kushte për të rinjtë në Kosovë, punëtorët e kanë humbur […]

Migrimi rrit mungesën e punëtorëve, bizneset angazhojnë të pensionuarit Foto: Ilustrim

Mungesa e punëtorëve në Kosovë si pasojë e migrimit të të rinjve, po i detyron bizneset që të marrin punëtorë madje edhe të pensionuar.

Kështu ka thënë për Radio Kosovën kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi. Ai tutje ka thënë  se qeveria nuk po krijon kushte për të rinjtë në Kosovë, punëtorët e kanë humbur vullnetin dhe sigurinë dhe i vetmi orientim që shohin është të dalin sa më parë jashtë.

Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat, kishte paralajmëruar qysh para pesë viteve që do të ketë mungesë të punëtorëve në Kosovë si rezultat i pagesës së ultë që u bëhet nga punëdhënësit në Kosovë.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka thënë për Radio Kosovën se në shumë kompani që kanë vizituar, kanë parë që punojnë  persona që kanë kaluar në pension. Sipas tij, kjo vjen si pasojë e mungesës së punëtorëve ngase të rinjtë kanë emigruar jashtë vendit për një pagë më të mirë.

“Është bërë një ngritje e pagave simbolike e për të cilën ne nuk jemi të kënaqur, sepse me ngritjen e çmimeve tani në gjendjen që jemi, kjo paga minimale duhet të jetë minimumi 500 euro. Kompanitë po i rrisin tani për shkak të mungesës së punëtorëve dhe po mundohen  t’i joshim punëtorët sadopak që të kenë një siguri për punët që i kryejnë”, ka theksuar Azemi.   

Ai tutje thotë së që nga paslufta e deri me tash asnjë qeveri nuk i ka  kushtuar kujdes  të mjaftueshëm implementimit të ligjeve që kanë të bëjnë me raportet punëdhënës e punëmarrës. Qeveritë nuk kanë krijuar një siguri për punëtorët ne Kosovë.

“I kemi bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që ta bëjmë një mini-program, që të dalim bashkërisht dhe t’u ofrojmë kushte punëtorëve të sektorit privat në Kosovë  e që paga minimale të jetë 500 euro dhe njëkohësisht të ketë mbikëqyrje të rreptë  nga inspektorati dhe sindikata. Kompanitë tani për tani edhe nëse 1 mijë euro ua ofrojnë punëtorëve, ata e kanë humbur vullnetin dhe sigurinë dhe i vetmi orientim që shohin, është të dalin sa më parë jashtë”, ka shtuar Azemi.

Petrit Reqica, nga Shoqata e Gastronomeve, thotë se mungesa e punëtorëve është vërejtur qysh para pandemisë, e tash ka edhe më shumë mungesë të punëtorëve, ani pse pagat janë rritur.

“Problemi i stafit në gastronomi ka filluar qysh para kohës së pandemisë. Qysh atëherë ka filluar rritja e pagave, por tani pandemia na i prishi të gjitha matematikat me punë e me organizim, e tash mungesa e punëtorëve ka filluar të shfaqet edhe më shumë”, ka thënë Reqica për Radio Kosovën.

Ai tutje thotë se janë shumë arsye që po ndikojnë në mungesën e punëtorëve, edhe pse kohët e fundit pagat janë rritur.