“Mësimdhënësit t’i kthehen procesit mësimor, Ligji i Pagave i avancon”

07.09.2022

Drejtori i Institutit “EdGuard”, Rinor Qehaja mendon se mësimdhënësit duhet t’i rikthehen procesit mësimor sa më parë, teksa kërkesat e tyre t’i negociojnë e t’i arrijnë me mjete dhe forma tjera sindikale. Ai për Radio Kosovën ka theksuar se me Ligjin e Pagave të publikuar rishtas në draftin e fundit, vërehet një përkushtim institucional karshi […]

“Mësimdhënësit t’i kthehen procesit mësimor, Ligji i Pagave i avancon” Foto: Ilustrim

Drejtori i Institutit “EdGuard”, Rinor Qehaja mendon se mësimdhënësit duhet t’i rikthehen procesit mësimor sa më parë, teksa kërkesat e tyre t’i negociojnë e t’i arrijnë me mjete dhe forma tjera sindikale.

Ai për Radio Kosovën ka theksuar se me Ligjin e Pagave të publikuar rishtas në draftin e fundit, vërehet një përkushtim institucional karshi profesionit të mësimdhënies dhe rritjes në pagë që ky profesion tashmë ka me këtë Ligj të ri karshi krejt nëpunësve të tjerë civilë.

“Ajo çka vërehet, është një përkushtim jashtëzakonisht i madh i komunitetit të shkollave për fillimin e procesit mësimor. Duket që pushimi veror ka nxitur për një ripërtëritje të energjisë, e cila shpresojmë të na kthehet me një përkushtim, por edhe me një cilësi më të rritur në mësimdhënie. Këto paralajmërimet dhe cikli i vazhdueshëm dhe i ripërsëritur për greva, pa dyshim që janë shpërqendruese për vetë komunitetin e shkollës, mirëpo, besoj shumë në vetëdijesimin e rritur të shkollave dhe mësimdhënësve, që në asnjë moment nuk duhet të mendohet të ndërpritet procesi mësimor për çfarëdo arsye sindikale që mund të kenë.

Unë rikujtoj, që me Ligjin e Pagave të publikuar rishtas në draftin e fundit, vërehet një përkushtim institucional karshi profesionit të mësimdhënies dhe rritjes në pagë që ky profesion tashmë ka me këtë Ligj të ri karshi krejt nëpunësve të tjerë civilë. Kjo besoj që do të ishte e mjaftueshme që ndërprerja e procesit mësimor të mos konsiderohej, por kërkesat e tjera sindikale të arriheshin e të negocioheshin me mjete dhe forma të tjera të reagimit sindikal”.

“Shkollat tona nuk mungojnë në infrastrukturë si hapësirë, kemi shkolla mjaftueshëm. Por, shkollat tona mungojnë më shumë në mjete të mirëfillta didaktike, kënde të leximit, kuzhina, pra në një ambient të mirëfilltë shkollor me të gjitha mjetet dhe infrastrukturën përcjellëse brenda, që e rritë edhe eksperiencën e nxënësit në shkollë. Pra, kjo është ajo që mungon dhe kjo thërret për investime më të fuqishme kapitale në shkollat tona, për të ofruar këtë që iu referova.

Ne shpresojmë shumë që buxheti për këto investime të alokohet në mënyrë të strukturuar e t’u delegohet komunave, por edhe të sigurohemi që komunat i shpenzojnë të njëjtat linja buxhetore se për çka thirren këto para. Pra, të mos keqpërdoret buxheti i alokuar për investime në arsim”.

Po ashtu, ai tha se  vërehet një përkushtim institucional karshi agjendës legjislative, ka shumë draft ligje që kanë qenë në sirtarë me vite, por që ka filluar të përditësohen në vitin e fundit dhe ky është nj sinjal i mirë dhe tregon për përkushtim institucional karshi reformave, njëjtë sikurse është edhe hartimi i strategjisë së re të arsimit. Mirëpo, këto nuk kanë kuptim për derisa reformat nuk shkojnë në klasë. Pra, nuk mungojnë dokumentet e legjislacioni i mirëfilltë, por ka mungesë të përgjegjësisë dhe llogaridhënies që dërgon atë reformë në klasë. Fatkeqësisht, mungojnë mekanizmat e mirëfilltë të llogaridhënies, pra, që mbikëqyrin punën e të gjithëve brenda sistemit arsimor, që nga niveli politik qendror e deri te mësimdhënësi në klasë. Në mungesë të këtyre, gjithçka ngelet në vullnet të mirë të secilit individ brenda sistemit dhe jo në diçka të strukturuar.

Qehaja ka shtuar se projektligji për tekste shkollore ka qenë disa javë në diskutim publik dhe njëjtë do të jetë edhe pas draftit të ri dhe dërgimit në Kuvend. Ka një vullnet të mirë të të gjithëve përfshirë edhe anëtarët e grupit punues që të merren sa më shumë impute nga të gjithë hisedarët e përfshirë, në mënyrë që të kemi një Ligj të kompletuar dhe të zbatueshëm me procedura që na sjellin tekste më të mira e cilësore. Është një rrugë e gjatë deri te zbatimi i këtij ligji, mirëpo besoj shumë në vullnetin e mirë të të gjithëve, që i njëjti të miratohet në Kuvend dhe të gjejë zbatimin e duhur edhe në praktikë. Projektligji për tekstet shkollore paraqet disa risi, në mesin e të cilave: mekanizmat më të mirëfilltë dhe rigoroz të selektimit dhe vlerësimit të teksteve shkollore, një transparencë më të rritur në proces, program të ngritjes së kapaciteteve për autorë e recensentë dhe një mori strukturash të reja, që mund të sjellin një cilësi më të rritur të teksteve shkollore. Projektligji për tekste shkollore, promovon tekstin digjital, mirëpo të vetëdijshëm për pamundësinë dhe kostot financiare dhe teknike të realizimit të të njëjtave e lë të hapur si një reformë për të ardhmen.

Tekstet aktuale shkollore nevojitet që të rishikohen dhe kjo është e rëndësishme. Pra, një rishikim se kush është cilësi e vërtetë e tyre që shërben si praktikë dhe si mësim i mirë për hartimin e teksteve në hapje. Tekstet e tjera që vijnë pas projektligjit për tekstet shkollore, duhet të jenë e të ndërtohen mbi mësimet e mira të menaxhimit të procesit, por edhe të gabimeve të identifikuara nga tekstet aktuale.  

“Vlerësimi i performansës së mësimdhënësve me legjislacionin në fuqi, lë shumë për të dëshiruar dhe ka shumë pikëpyetje. Kështu që, një ristrukturim i të njëjtit është i domosdoshëm, në mënyrë që të sigurohemi që mësimdhënësit të kenë një vlerësim të vazhdueshëm të performansës. Pra, jo vlerësim një herë në pesë vjet, jo vlerësim nga drejtori ose inspektori, me paralajmërime që nuk janë valide dhe të besueshme. Duhet të jemi të hapur dhe të kuptojmë që vlerësimi i performansës së mësimdhënësve është në shërbim të tyre. Pra, ristrukturimi nënkupton që të ndërtojmë një sistem të vlerësimit të mësimdhënësit që është më shumë përkrahës për mësimdhënës dhe jo domosdoshmërish gjykues dhe penalizues për të. E rëndësishme është që mësimdhënësit nga vlerësimi i performansës të kuptojnë se ku çalojnë, ku kanë ngecje dhe t’u ofrohet përkrahje institucionale që të korrigjojnë ato. Pra, ky duhet të jetë qëllimi i vlerësimit të performansës”, tha Qehaja.

“Ne kemi nevojë për instalimin e mekanizmave llogaridhënës për të gjitha institucionet e kjo pastaj do të sillte në filtrim të sistemit. Kjo ka kuptim në formë të ri-rekrutimit veçanërisht të pozitave udhëheqëse në institucionet publike të arsimit të lartë, të cilat përgjithësisht janë të kapura dhe një ç’kapje eventuale e tyre do të nënkuptonte një rekrutim të pozitave udhëheqëse me shpresën që të njëjtit të instalojnë mekanizmat llogaridhënës për të gjithë nëpunësit e institucionit.

Në të kundërtën, ne nuk mund të ri-punësojmë 75 mijë mësimdhënës dhe nuk mund të ketë në asnjë moment mësimdhënës më të mirë jashtë sistemit se ata që janë. Është një shqetësim në rritje cilësia e mësimdhënësve të rinj në ardhje, pasi nuk dallon shumë me mësimdhënësit aktualisht në shërbim”, përfundoi ai.