Mësimdhënësit hezitojnë të vaksinohen kundër COVID-19, ministrja e Arsimit: S’ka mësim fizik pa vaksinim

05.08.2021

Është duke vazhduar procesi i vaksinimit kundër COVID-19 për qytetarët e Republikës së Kosovës. Ndonëse për mësimdhënësit ka kohë që është hapur aplikimi për vaksinim, por një gjë të tillë nuk po praktikohet nga një përqindje e madhe e mësimdhënësve. Deri para disa dite vetëm 7 mijë e 200 mësimdhënës janë vaksinuar kundër COVID-19, derisa […]

Mësimdhënësit hezitojnë të vaksinohen kundër COVID-19, ministrja e Arsimit: S’ka mësim fizik pa vaksinim Foto: Ilustrim

Është duke vazhduar procesi i vaksinimit kundër COVID-19 për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Ndonëse për mësimdhënësit ka kohë që është hapur aplikimi për vaksinim, por një gjë të tillë nuk po praktikohet nga një përqindje e madhe e mësimdhënësve.

Deri para disa dite vetëm 7 mijë e 200 mësimdhënës janë vaksinuar kundër COVID-19, derisa numri i përgjithshëm i personi arsimor në nivel vendi është 24 mijë e 370.

Numër ky i lartëcekur po vlerësohet i vogël dhe brengosës e rrezik për vijimin normal të vitit të ri shkollor.

E për të nisur procesin mësimorë fizikisht në shtator duhet të plotësohen edhe parakushtet për vaksinim, kështu tha në një deklaratë për Ekonomia Online, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci.

Nagavci tha se ka neglizhencë të mësimdhënësve, kjo sipas saj si pasojë e një përfundimi jo të lehtë të mësimit si dhe shfrytëzimi i tyre për pushime, por tani edhe më pak se një muaj fillon viti i ri shkollor, ku para fillimit të këtij viti duhet shfrytëzuar mundësia e vaksinimit kundër këtij virusi.

“Në po planifikojmë dhe po shpresojmë që viti i ri shkollor, do të jetë me pjesëmarrje fizike të nxënësve në shkolla, që nënkupton se duhet të plotësohen edhe parakushtet për vaksinim.

Është mirë që kemi vaksina të mjaftueshme, janë të aprovuara dhe besoj do kemi numrin e rifreskuar të mësimdhënësve të vaksinuar dhe shpresoj që në këtë rritje të numrave të dy ditëve të fundit të personave që janë vaksinuar të jetë një numër i konsiderueshëm i mësimdhënësve”, tha Nagavci.

“Unë dëshiroj të besoj që ndoshta nuk është shumë hezitim, më shumë është një  neglizhencë e mësimdhënësve, një numër të tyre të cilët pas përfundimit të një viti shkollor jo shumë të lehtë e me sfida ndoshta e kanë shfrytëzuar këtë kohë të pushimit duke planifikuar që tash kur jemi para fillimit të vitit shkollor pra ata që akoma nuk janë vaksinuar të bëjnë vaksinimin në dy dozat në mënyrë që të jemi të gatshëm për fillimin e vitit të ri shkollor”, tha Nagavci.

Mes tjerash  ministrja theksoi se është e nevojshme që të jemi të përgatitur me të gjitha kushtet për një kujdes të shëndetit publik, dhe se janë pikërisht mësimdhënësit ata që duhet të japin një shembull të tillë.

“Është mirë që të jemi të parapërgatitur dhe t’i plotësojmë të gjitha parakushtet për një kujdes për shëndetin publik, tash kemi praktikat e vendeve të rajonit të cilat me një farë forme e kanë ndaluar ambientet e mbyllura ku ka persona që nuk janë vaksinuar, kështu që unë besoj mësimdhënësit që promovojnë shkencën do të jenë një shembull i mirë për të tjerët”, përfundoi Nagavci.

Numri i vogël i personelit arsimor të vaksinuar po shihet si shqetësues edhe për Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.

Ymer Ymeri, përfaqësues i SBAShK-ut para disa dite ka deklaruar se si sindikatë nuk do të kundërshtojnë nëse merret vendim që vaksinimi i mësimdhënësve të bëhet obligativ.

“Nëse ministria e Shëndetësisë ose ministria e Arsimit ose qeveria e Republikës së Kosovës e bënë të kushtëzuar fillimin e punës në shtator për mësimdhënësit me vaksinim ne nuk do të dalim kundër atij qëndrimi të qeverisë.

Nuk do të dalim kundër institucioneve të Republikës së Kosovës në qoftë se ata mendojnë që duhet të jetë obligative çështja e fillimit të vitit shkollor për mësimdhënësit, se mësimdhënësit duhet të jenë ajo shtresë të cilët nuk duhet të hezitojnë as nuk duhet të jenë të hamendur a duhet të vaksinohen apo jo, sepse i vetmi shpëtim nga virusi është vaksinimi”, ka potencuar ai.