Më 13 dhjetor mbahet protesta e radhës në Shkup në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së

05.12.2025

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka paralajmëruar protestën e radhës në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë. Këtë e ka bërë të ditur nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla, gjatë një konference për media të mbajtur të enjten.

Syla tha se protesta do të zhvillohet më 13 dhjetor, në sheshin “Skënderbeu” në Shkup, duke nisur nga ora 13:00. Ai bëri thirrje për pjesëmarrje masive, por njëkohësisht kërkoi që tubimi të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe të organizuar.

“Apelojmë te qytetarët që t’i bashkohen kësaj proteste madhështore dhe ta shprehin zërin e tyre me qetësi e dinjitet”, u shpreh Syla.

Kjo protestë do të jetë e pesta me radhë në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së të cilët po përballen me proces gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë. Organizatorët theksojnë se angazhimet e tyre do të vazhdojnë derisa, siç thonë ata, “të triumfojë e vërteta dhe drejtësia”.

Protesta pritet të mbledhë qytetarë nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe të gjitha trojet shqiptare.