Mbrojtja kërkon lirimin e ish-presidentit Thaçi

15.09.2021

Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi ka apeluar vendimin e gjyqtarit paraprak, Nicolas Guillou, mbi vazhdimin e paraburgimit, duke kërkuar sërish lirimin e tij nga kjo masë. Në shkresën e publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara, mbrojtja ka renditur gabimet që pretendon se gjyqtari paraprak i ka bërë në vendimin e tij për vazhdimin […]

Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi ka apeluar vendimin e gjyqtarit paraprak, Nicolas Guillou, mbi vazhdimin e paraburgimit, duke kërkuar sërish lirimin e tij nga kjo masë.

Në shkresën e publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara, mbrojtja ka renditur gabimet që pretendon se gjyqtari paraprak i ka bërë në vendimin e tij për vazhdimin e paraburgimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas mbrojtjes, gjyqtari paraprak ka aplikuar gabimisht barrën e provës për rishikimin e nenit 41(1), ka gabuar në refuzimin për t’u angazhuar me kohëzgjatjen e parashikuar të paraburgimit.

Mbrojtja tutje ka pretenduar se gjetjet mbi ndikimin dhe autoritetin e Thaçit janë aq të padrejta dhe të paarsyeshme sa që përbëjnë një abuzim me diskrecionin. Sipas mbrojtjes, gjyqtari gjithashtu ka gabuar në gjetjen se zbulimi i provave rrit rrezikun e arratisjes, pengimit të procedurave dhe kryerjes së krimeve tjera.

Tutje, të gabuar e ka cilësuar edhe qasjen ndaj vlerësimit të garancive të shteteve të treta, si dhe dështimin për të kërkuar pikëpamjet e shteteve të treta të propozuara.

Ndryshe, në paraqitjet e tyre të para më 9 nëntor, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.