Mblidhen tri komisione parlamentare
Në Kuvendin e Kosovës sot do të mbahen mbledhjet e tri komisioneve parlamentare, Komisioni hetimor parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Komisioni për arsim, shkencë, teknologji, inovacion, kulturё, rini dhe sport dhe Komisioni për ekonomi, industri, ndërmarrësi dhe tregti.
Komisioni hetimor parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, sot në orën 10:00 mban mbledhjen e radhës, në rend ditka edhe intervistimin e dëshmitarit Behar Isma nga MPJD-ja.
Mbledhje sot gjithashtu në ora 10:00 ka edhe Komisioni për arsim, shkencë, teknologji, inovacion, kulturё, rini dhe sport, ku në rend të ditës ka edhe shqyrtimin e Raportit vjetor të punës të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim për vitin 2023.
Ndërsa, Komisioni për ekonomi, industri, ndërmarrësi dhe tregti fillon mbledhjen, po ashtu, në orën 12:30. Në rend është edhe shqyrtimi i Raportit vjetor të Ndërmarrjes Publike të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT Sh.a. për vitin 2023.