Mbi një mijë ushtarë iu bashkuan FSK-së gjatë këtij viti, Mehaj: Synojmë anëtarësimin në NATO

19.12.2022

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj është duke raportuar në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes lidhur me ministrinë që ai udhëheq dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK). Mehaj ka thënë se rritja e buxhetit për FSK-në ka ndikuar për rritje të kapaciteteve brenda Ushtrisë së Kosovës. Ministri ka theksuar se gjatë vitit 2022  […]

Mbi një mijë ushtarë iu bashkuan FSK-së gjatë këtij viti, Mehaj: Synojmë anëtarësimin në NATO Foto: Ilustrim

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj është duke raportuar në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes lidhur me ministrinë që ai udhëheq dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Mehaj ka thënë se rritja e buxhetit për FSK-në ka ndikuar për rritje të kapaciteteve brenda Ushtrisë së Kosovës.

Ministri ka theksuar se gjatë vitit 2022  në total janë rekrutuar 1,230 ushtarë që është dyfishi i vitit 2020 dhe 2019.

“Sa i përket ngritjes së kapaciteteve profesionale ushtarët ndjekin studime në akademitë më prestigjioze në botë si në SHBA, Gjermani, Kroaci, Mbretëri të Bashkuar, Turqi dhe më gjerë.

Gjatë këtij viti janë trajnuar rreth 2,047 ushtarakë jashtë vendit. Krahas kësaj është investuar edhe ngritjen e kapaciteteve operacionale me blerjen e pajisjeve ushtarake.

Gjatë vitit 2022 buxheti i investuar në këtë vit tejkalon vitin 2021 me 84%, vitin 2020 me 99% dhe vitin 2019 më 98%.Blerjet janë realizuar përmes marrëveshjeve shtet me shtet”, ka thënë Mehaj.

Ministri i Mbrojtjes theksoi se synimi është anëtarësimi në NATO dhe se janë duke punuar në këtë drejtim.

“Synimi jonë është anëtarësimi në NATO. Ushtarët tanë po marrin pjesë në ushtrime ndërkombëtare krah ushtrive të ndryshme ndërkombëtare. Jemi në përgatitje të “Defender 23”, si nikoqir për herë të dytë ku Ushtria e Kosovës do të marrë pjesë më 1,350 ushtarë”, tha Mehaj.