“Mbi 70 për qind e punëtorëve të sektorit privat duan të ikin nga Kosova”

30.04.2022

Më 1 maj do të mbahet një protestë për kushtet e punëtorëve të sektorit privat, ku kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi ka dhënë detaje lidhur me organizimin e kësaj proteste. “Është një protestë simbolike, dhe kemi ftuar kryetarët e mbi 50 shoqatave sindikale, bashkë me nënkryetarët, në protestë pritet të […]

“Mbi 70 për qind e punëtorëve të sektorit privat duan të ikin nga Kosova” Foto: Ilustrim

Më 1 maj do të mbahet një protestë për kushtet e punëtorëve të sektorit privat, ku kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi ka dhënë detaje lidhur me organizimin e kësaj proteste.

“Është një protestë simbolike, dhe kemi ftuar kryetarët e mbi 50 shoqatave sindikale, bashkë me nënkryetarët, në protestë pritet të jenë të pranishëm rreth 150 udhëheqës sindikatash”, tha Azemi në Ora 7 në Klan Kosova.

Azemi tha se kjo protestë po bëhet me qëllim që t’i dërgojnë një mesazh Qeverisë dhe pronarëve të kompanive.

“Ne nuk po shohim një sinjal pozitiv në ri-rregullimin e gjendjes së punëtorëve të sektorit privat. Ajo për çdo ditë po shkon duke u përkeqësuar. Ne do të kërkojmë atë që Qeveria e ka pasur për obligim ta bëj, sepse ka pasur që marrëveshjen kolektive ta nënshkruaj qysh moti, ka pasur për obligim që ta formojë gjykatën e punës, ka pasur për obligim që të kemi një fond social nëse kemi raste të lëndimeve në punë”, u shpreh tutje Azemi.

Kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat u ankua se Qeveria nuk po mban kontakt me sindikata e sektorit privat.

“Qeveria e Kosovës, gjegjësisht Ministria e Punës, nuk ka dialog me sektorin privat të Kosovës, dhe nuk ka dialog me të gjitha sindikatat private të Kosovës, dhe kjo është më e rënda”.

“Dëmi më i madh që po u shkaktohet punëtorëve privat është se mbi 70 përqind e tyre që janë këtu, qëllimin përfundimtar e kanë si të ikin nga Kosova, pasi që nuk iu kemi krijuar kushtet elementare, mos të flasim mesatare, ose maksimale, nuk iu kemi krijuar kushtet optimale për mbijetesë”, tha Azemi.