Mbi 14 mijë raste aktive me COVID-19, nga 7 prilli hyjnë në fuqi masat e reja

06.04.2021

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka njoftuar se gjatë ditës së hënë janë konfirmuar 512 raste pozitive me COVID-19 dhe janë regjistruar 11 viktima nga ky virus. IKSHPK-ja ka bërë të ditur se gjatë ditës së hëne në Komunën e Suharekës janë identifikuar 5 raste të reja me COVID-19, shkruan SuharekaOnline. Vendbanimet e […]

Mbi 14 mijë raste aktive me COVID-19, nga 7 prilli hyjnë në fuqi masat e reja Foto: Ilustrim

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka njoftuar se gjatë ditës së hënë janë konfirmuar 512 raste pozitive me COVID-19 dhe janë regjistruar 11 viktima nga ky virus.

IKSHPK-ja ka bërë të ditur se gjatë ditës së hëne në Komunën e Suharekës janë identifikuar 5 raste të reja me COVID-19, shkruan SuharekaOnline.

Vendbanimet e 5 rasteve të djeshme në Komunën e Suharekës janë:Greikoc (2), Nishor (1), Mushtisht (1) dhe Suharekë (1).

Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 524 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 77.957 raste, kurse numri i rasteve aktive është 14.284.

Numri total i rasteve pozitive është 94.167 raste nga 447.840 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.926 raste të vdekjes.

Rikujtojmë se gjatë ditës së hënë Qeveria e Kosovës ka marr vendim për shtrëngim të masave.

Me këto masa ndalohet veprimtaria e qendrave të mbyllura tregtare, përveç shërbimeve esenciale në kuadër të tyre siç janë marketet ushqimore dhe farmacitë si dhe shërbimet e gastronomisë obligohen të pezullojnë aktivitetin e tyre nga data 7 prill deri më datë 18 prill.

“Të gjitha institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar (nga data 12 prill deri me 18 prill), dhe të gjitha institucionet publike dhe private universitare nga data (6 prill deri me datë 18 prill) obligohen që të organizojnë online të gjitha aktivitetet mësimore. Institucionet parashkollore vazhdojnë aktivitetin normalisht, duke i respektuar masat dhe rekomandimet kundër COVID-19”.

Qeveria e Kosovës ka obliguar të gjitha institucionet, pulike dhe ato private që të paraqitet në punë vetëm stafi i cili kryen shërbime esenciale. Përgjegjësit e institucioneve publike dhe private obligohen të definojnë stafin esencial për nevojat e institucionit me hyrjen në fuqi të këtij vendimi.

Bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është obligative, në të gjitha rastet përveç: gjatë ngasjes së automjetit vetëm apo me anëtarët e ngushtë të familjes, gjatë vrapit dhe çiklimit dhe gjatë ecjeve jashtë zonave të banuara dhe jo në grupe me më shumë se 4 persona të të njëjtës familje.

Ndalohen të gjitha grumbullimet me rrezikshmëri të lartë të shpërndarjes së infeksionit, me më shumë se 10 persona, (mbledhjet, seminaret, trajnimet, dasma, ahengje familjare, homazhe, e të ngjashme).