MASHT merr vendim për rishikimin e doracakut të edukimit seksual të miratuar në vitin 2020
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHT) ka vendosur të rishikojë doracakët “Edukimi seksual dhe shëndeti riprodhues”, të cilët kanë qenë në qendër të debateve të shumta në javët e fundit.
Për këtë qëllim, MASHT-i do të formojë një komision të përbërë nga ekspertë të fushave përkatëse, të cilët do të analizojnë me kujdes përmbajtjen e këtyre doracakëve. Në këtë proces do të përfshihen edhe përfaqësues të Këshillit të Prindërve të Kosovës, me qëllim të sigurimit të një procesi sa më transparent dhe demokratik.
Çfarë thotë MASHT-i?
Në një njoftim për media, MASHT-i thekson se qëllimi i edukimit seksual është të pajisë fëmijët dhe të rinjtë me njohuri të bazuara në fakte shkencore rreth shëndetit seksual dhe riprodhues. Ministria sqaron se nuk ka kurrikulë të veçantë për edukim seksual dhe se këto njohuri janë të integruara në lëndë të tjera.
“Duke marrë parasysh shqetësimet e prindërve, sqarojmë edhe një herë që nuk ka kurrikulë të veçantë për edukim seksual e as tekste shkollore ku fëmijët mësojnë për edukimin seksual,” thuhet në njoftim.
MASHT-i thekson gjithashtu se deri më tani nuk ka pasur asnjë ankesë nga mësimdhënës, prindër apo ekspertë në lidhje me përmbajtjen e doracakëve.
Doracakët tërheqen nga përdorimi
Derisa të përfundojë procesi i rishikimit, MASHT-i ka vendosur të tërheqë doracakët nga përdorimi dhe nga faqja e saj zyrtare. Ministria i bën thirrje të gjithë palëve të përmbahen nga gjuha e urrejtjes dhe të kontribuojnë në një debat konstruktiv.