Masa e sigurisë për mallrat serbe, ministri serb letër ankese BE-së, Britanisë, ShBA-së dhe CEFTA-s
Ministri i Tregtisë së Brendshme dhe të Jashtme i Serbisë, Tomislav Momiroviq, u ka dërguar një letër ankese të gjithë ministrave të tregtisë së Bashkimit Evropian, Britanisë së Madhe, SHBA-së dhe CEFTA-s, lidhur me masën e sigurisë që ka vendosur Kosova ndaj mallrave me origjinë nga Serbia, qysh nga qershori i vitit të kaluar.
Kosova e kishte marrë këtë vendim pasi Serbia rrëmbeu tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës, që po ruanin kufirin. Ditën që policët u rrëmbyen, Dogana e Kosovës u urdhërua që ta ndalojë hyrjen e të gjitha mallrave serbe në Kosovë.
Siç raporton Kossev, Ministri serb e ka quajtur këtë “politikë kriminale”, derisa ka përmendur edhe çështjen e dinarit.
“Të gjithë ata që tolerojnë veprime të tilla, të ashtuquajturat Autoritetet e Kosovës duhet të jenë të vetëdijshme se po bëhen bashkëfajtorë në një krim të madh kundër popullit serb, në shkaktimin e qëllimshëm të krizës humanitare, sepse popullata serbe në Kosovë varet nga produktet ushqimore bazë që dërgohen nga Serbia qendrore”, ka deklaruar ai.
Ai e ka quajtur këtë “presion të paparë ekonomik”, derisa ka thënë se bie në kundërshtim me të gjitha standardet evropiane të qarkullimit të lirë të njerëzve dhe mallrave.
“Është krejtësisht kundër parimeve themelore të BE-së dhe është më se e qartë se pas kaq kohësh qëllimi i vetëm është frikësimi dhe dëbimi i popullit serb nga territori i Kosovës dhe Metohisë”, tha Momiroviq.