Malishevë, plagoset me armë zjarri një i mitur, arrestohen dy të dyshuar

24.09.2025

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në fshatin Kijevë të Malishevës, ku një i mitur ka mbetur i plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri.

Sipas informacioneve zyrtare, incidenti ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje mes viktimës dhe dy të miturve të tjerë. Policia e Kosovës ka njoftuar se menjëherë pas rastit ka arrestuar dy të dyshuarit dhe ka sekuestruar një armë zjarri që dyshohet se është përdorur në ngjarje.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, ka konfirmuar për mediat se ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:45. Ai ka bërë të ditur se viktima është dërguar për trajtim mjekësor dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

“Rreth orës 15:45, në fshatin Kijevë të Malishevës, një i mitur është plagosur me armë zjarri pas një mosmarrëveshjeje me dy të mitur të tjerë. Viktima është dërguar për trajtim mjekësor, gjendja e tij shëndetësore është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë. Policia ka arrestuar dy të dyshuarit dhe ka sekuestruar një armë zjarri, ndërsa me autorizim të prokurorit po ndërmerren veprimet e mëtejme hetimore”, ka deklaruar Elezaj.

Rasti është duke u hetuar nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë kompetente.