LVV e LDK të pakoordinuara për taksën

27.02.2020

Qëndrimet rreth çështjes së taksës ende nuk janë të përbashkëta mes dy partive që janë në koalicion e që e kanë pushtetin, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka përsëritur edhe dje se taksa duhet të hiqet po s’duhet që të ketë nguti për një gjë […]

LVV e LDK të pakoordinuara për taksën Foto: Ilustrim

Qëndrimet rreth çështjes së taksës ende nuk janë të përbashkëta mes dy partive që janë në koalicion e që e kanë pushtetin, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka përsëritur edhe dje se taksa duhet të hiqet po s’duhet që të ketë nguti për një gjë të tillë, ndërsa LDK-ja kanë kërkuar që tarifa ndaj mallrave serbe të hiqet sa më shpejt që të jetë e mundur.

Madje edhe zv.kryeministri nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti dje përmes një postimi në Facebook kishte kërkuar të ndodhë një gjë e tillë pasiqë jemi në limit të kohës që të bëhemi pjesë e mbrojtjes dhe avancimit të sovranitetit të vendit tonë.

Ky mosdakordim i partnerëve qeverisës rreth taksës dhe reciprocitetit sipas njohësve të çështjeve politike mund t’u kushtojë atyre me jetëshkurtësi të Qeverisë, shkruan gazeta “Zëri”.

Kryeministri Kurti ka thënë se nuk duhet të ketë nguti për heqjen e taksës pa pasur fillimisht ndonjë elaborim nga Ministria e Ekonomisë rreth kësaj çështjeje.

Në anën tjetër, SHBA-ja po vazhdon ta kundërshtojnë idenë e Kurtit për reciprocitet ndonëse shefi i ekzekutivit po këmbëngul se një gjë e tillë është në përputhje me marrëdhëniet ndërkombëtare dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Postimi i plotë i zv.kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hotit:

Para nesh kemi një proces sfidues të arritjes së Marrëveshjes së Paqes me Serbinë, që si konkluzion ka njohjen reciproke, siç edhe shprehet Sekretari Pompeo në letrën e fundit për Qeverinë e Kosovës.

Ballafaqimi me këtë proces është domosdoshmëri e jona, por edhe kërkesë e miqve tanë që na kanë përkrahur për 30 vite rresht, nga kërcënimet e Kërshëndellave e deri tek bombardimet e NATO-s e shpallja e pavarësisë.

Kjo marrëveshje arrihet vetëm përmes një procesi dinamik dialogues të UDHËHEQUR nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Ne, si Qeveri me legjitimitet të plotë qytetarë, do të jemi pjesë e zgjidhjes (të mirë) për vendin.

Pengesat e vetë shkaktuara që na përjashtojnë nga ky proces nuk na ndihmonjnë, përkundrazi.

Jemi në limit të kohës që të bëhemi pjesë e mbrojtjes dhe avancimit të sovranitetit të vendi tonë.