Ligji për zgjedhjet, kërkohet harmonizim për barazi gjinore

12.02.2024

Ligji për zgjedhjet e përgjithshme është në mesin e ligjeve që po trajtohen në Gjykatën Kushtetuese.

Ligji për zgjedhjet, kërkohet harmonizim për barazi gjinore Foto: Ilustrim

Nga shoqëria civile thonë se ky ligj nuk është në frymë të kushtetutës, pasi kjo mundëson që listat zgjedhore të mos përbëhen nga 50 për qind burra dhe 50 për qind gra.

Neni 28 i Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, i cili përcakton se “në listën e kandidatëve të secilit subjekt politik së paku 30 për qind janë meshkuj dhe së paku 30% për qind janë femra”, u bë shkas që ky ligj të përfundojë në Kushtetuese. Kërkesa për interpretimin e ligjit u bë nga Avokati i Popullit, që vlerëson se çdo kuotë nën 50 për qind nuk është në përputhje me ligjin dhe përligjë trajtimin e pabarabartë të grave.

Në rastin e miratimit të ligjit për zgjedhjet, Kuvendi u tregua jo demokratik, thotë Luljeta Demolli, drejtoreshë në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore. Ajo thekson për Radio Kosovën se prej kohësh kishin kërkuar harmonizimi i ligjit për zgjedhjet me atë për barazi gjinore.

“Presim që kushtetuesja të mos e bllokojë vendin e ligji të shkojë sa më shpejt në një shqyrtim, sepse kemi frikë që në dhjetor ndërrohen anëtarët e kushtetueses, mund zgjedhjet të vijnë edhe prapë të përsëritet e njëjta gjë. Prandaj e kemi të rëndësisë jetike të kthehet në Kuvend, të harmonizohet, sepse besojmë që do të jetë në anën tonë dhe ligji i zgjedhjeve të bëhet 50/50 për burra dhe gra”, tha ajo.

Njohësi i së drejtës kushtetuese, ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Mazllum Baraliu, thotë se kuota e përcaktuar me ligj, nuk mund të konsiderohet antikushtetuese, por mund të ndryshohet.

 “Unë mendoj që nuk është dhe as nuk ka të bëjë me shkelje. 30% është konsideruar një kuotë që edhe në shtetet më demokratike të perëndimit, shpeshherë nuk arrihet në përfaqësim në parlamente. Prandaj mendoj se është çështje e debatit dhe nuk ka asgjë jo- legjitime aty, por të presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha ai.

Ndërsa, Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se përveç për kuotën, ligji për zgjedhjet do të duhej sfiduar edhe për një çështje tjetër.

 “Avokati i Popullit është dashur ta sfidojë ligjin edhe në raport me çështjen e përshtatshmërisë juridike të kandidatëve apo integritetin e kandidatëve, që sipas ndryshimeve të reja do t’ua mundësojë edhe kandidatëve të dënuar me kusht apo me gjobë, që të marrin pjesë në zgjedhje duke anashkaluar në tërësi faktin që ta zëmë në dy apo vitet e fundit 80% e rasteve penale të korrupsionit kanë përfunduar me dënime me kusht apo me gjobë”, theksoi ai.

Ligji për Zgjedhjet është miratuar në Kuvend, në qershor të 2023-ës.