Ligji i Pagave, veteranët e UÇK-së në protestë: Kurti duhej të kishte respekt e përkujdesje më të veçantë

04.06.2022

Arsyeja e kësaj proteste lidhet me pagën minimale. Kështu ka bërë të ditur në një konferencë për media u.d. i kryetarit të OVL UÇK-së, Faton Klinaku. Ai ka treguar se protesta pritet të fillojë në ora 10:00. “Ne si organizata të dala nga lufta duke e parë që Qeveria e Kosovës përmes Kuvendit po tenton […]

Ligji i Pagave, veteranët e UÇK-së në protestë: Kurti duhej të kishte respekt e përkujdesje më të veçantë Foto: Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK)

Arsyeja e kësaj proteste lidhet me pagën minimale.

Kështu ka bërë të ditur në një konferencë për media u.d. i kryetarit të OVL UÇK-së, Faton Klinaku.

Ai ka treguar se protesta pritet të fillojë në ora 10:00.

“Ne si organizata të dala nga lufta duke e parë që Qeveria e Kosovës përmes Kuvendit po tenton ta ndryshojë ligjin, për këto kategori, për veteranët e luftës së UÇK-së, ligj i cili i lidh veteranët e luftës me pagën minimale dhe duke e parë që ata kanë ftuar një seancë për ta ndryshuar këtë ligj në leximin e parë atëherë në orën 10:00 kemi vendosur të dalim në protestë”, tha ai.

Sipas tij, Qeveria nuk po tregohet bashkëpunuese me veteranët e luftës.

“Përveç çështjes së benificionit për veteranët, invalidët apo familjet e dëshmorëve si organizata të dala nga lufta jemi të shqetësuar për shkak se kjo qeveri nuk ka bashkëpunuar asnjëherë prej që është në pushtet, me këto kategori”, tha ai.

Xhavit Jashari në emër të familjeve të dëshmorëve, tha se me ardhjen e Qeverisjes Kurti ka filluar diskriminimi i veteranëve dhe kategorive të dala nga lufta, duke shtuar se nuk e çmojnë rrugën me plot sakrifica deri në pavarësinë e vendit.

“Ne po e lëmë edhe një mundësi që deputetët mos ta aprovojnë një diçka të tillë, në të kundërtën nuk përjashtohen format e reagimeve tona. Publikisht po e themi se ne nuk marrim përgjegjësi pasi revoltat janë të mëdha, nuk marrim përgjegjësi. Kur preken invalidët, veteranët dhe kategoritë e dala nga lufta, ti po prek në lirinë e Kosovës, po prek në themelet e Kosovës që janë krijuar pas luftës. Nuk do të donim që të eskalojë protesta, por nëse kjo ndodhë përgjegjësia bie mbi qeverinë dhe kryeministrin Kurti, sepse ai duhej të kishte respekt e përkujdesje më të veçantë”, ka thënë Jashari.