Segmenti Prizren-Suharekë: Deputeti Gashi nga PDK kërkon sanimin urgjent të rrëshqitjes së dheut
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kujtim Gashi, ka kërkuar ndërhyrje të menjëhershme në autostradën “Ibrahim Rugova”, konkretisht në segmentin Prizren-Suharekë, ku rrëshqitja e vazhdueshme e dheut po rrezikon jetën e qytetarëve.
Foto: Ilustrim
Gjatë raportimit në Kuvend, Gashi u shpreh se neglizhenca në sanimin e kësaj pjese, ku qarkullimi është kufizuar në vetëm një shirit, ka çuar në aksidente me pasoja fatale.
Ai vuri theksin te rasti i dhjetorit të kaluar, ku dy shtetase të Shqipërisë humbën jetën si pasojë e kushteve të pasigurta në këtë aks.”Ndërhyrja duhet të jetë urgjente dhe s’duhet të ketë justifikime.
Procedurat nuk mund të jenë arsyetim kur kemi humbje jetësh, pasi kjo mund të kërkojë edhe përgjegjësi penale për mirëmbajtësit,” deklaroi Gashi.
Në anën tjetër, ministri i Infrastrukturës, Dimal Basha, e pranoi se situata paraqet rrezik të lartë dhe kosto të madhe, por u arsyetua me procedurat burokratike.
Sipas tij, në fillim të vitit 2024 kanë nisur procedurat e prokurimit për hartimin e projektit të sanimit, proces ky që sipas deputetit Gashi po zvarritet tej mase.
Autostrada “Ibrahim Rugova” mbetet arteria kryesore që lidh Kosovën me portet detare, por dëmtimet e pasanuara në këtë segment po kthehen në një “pizë” të rrezikshme për drejtuesit e automjeteve.
