Kuvendi sërish i bllokuar, Presidentja Osmani e gatshme për konsultime me liderët e partive politike

para 51 dite

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur gatishmërinë e saj të plotë për të zhvilluar konsultime me liderët e partive politike, në çdo kohë që ata e vlerësojnë të nevojshme, për të gjetur një zgjidhje që do të çonte në konstituimin e Kuvendit të Kosovës.  

Kuvendi sërish i bllokuar, Presidentja Osmani e gatshme për konsultime me liderët e partive politike

Këshilltari për media i Presidentes Osmani, Bekim Kupina, ka theksuar se Presidentja, përmes një letre drejtuar kryesuesit të seancës Avni Dehari, më 16 prill, tashmë u ka ofruar përfaqësuesve të partive mundësinë për takime, duke shprehur gatishmërinë e plotë për konsultime kurdo që ata e shohin të nevojshme.  

Kjo iniciativë vjen pas dështimit të gjashtë radhazi të deputetëve për ta konstituuar Kuvendin. Partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, nuk po arrin të sigurojë votat e nevojshme për kandidaten e saj për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila për herë të katërt mori vetëm 57 vota, nga të paktën 61 të nevojshme.  

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar ndaj situatës së krijuar, duke e cilësuar procesin e përsëritur të seancave çdo 48 orë si një cikël absurd pa reflektim politik dhe pa rezultat konkret. KDI i ka bërë thirrje Presidentes Osmani që të ndërmarrë hapa konkretë duke ftuar liderët e partive politike parlamentare në një takim të përbashkët për të diskutuar zgjidhje të mundshme për tejkalimin e bllokadës institucionale.

“Presidentja, sipas Kushtetutës, ka përgjegjësi të garantojë funksionimin kushtetues të institucioneve. Në një situatë kur institucioni më i lartë përfaqësues është i paralizuar, angazhimi i saj nuk është vetëm i justifikuar, por i domosdoshëm”, ka theksuar KDI.

Seanca e ardhshme konstituive e Kuvendit do të mbahet më 27 prill në orën 10:00.

Etiketat

Ofertat e fundit