Kuvendi mban një seancë të jashtëzakonshme të enjten me kërkesë të opozitës

11.03.2024

Këtë javë, Kuvendi i Kosovës do të mbajë një seancë të jashtëzakonshme, kështu ka njoftuar pas mbledhjes së Kryesisë, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.

Kuvendi mban një seancë të jashtëzakonshme të enjten me kërkesë të opozitës Foto: Ilustrim

Mimoza Kusari-Lila, tha se seanca e jashtëzakonshme e kërkuar nga opozita, mbahet të enjten me fillim nga ora 10:00 dhe është bërë me kërkesë të opozitës për kontratat njëburimore.

“Nga mbledhja e rregullt e Kryesisë së Kuvendit u caktua vetëm një seancë të jashtëzakonshme ajo e cila është bërë me kërkesën e opozitës lidhur me kontratat njëburimore të Qeverisë Kurti. Sipas deklarimit të tyre, materiali nuk ishte i shpërndarë, sepse kërkesa ka ardhur pak minuta para se të fillonte mbledhja e Kryesisë. Por fatkeqësisht nuk arritëm ta dakordojmë në një seancë të rregullt ose seancë me votime, për të cilën mund të kishim votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, për të cilën u dakorduam që do ta kemi në ditët apo javët tjera pasuese”.

Po ashtu, ajo ka thënë se mbeten edhe 12 marrëveshje ndërkombëtare që nuk janë votuar dhe se mund t’u skadojë afati.

E për këtë, Kusari – Lila ka thënë se gjatë javës së ardhshme mund të caktohet seancë e jashtëzakonshme për miratimin e tyre.

“Mbetët sfiduese ende për ne fakti që janë 12 marrëveshje të cilat presin miratimin në Kuvend dhe afati për të cilat edhe mund të skadojë. Shpresoj që gjatë kësaj jave ose javës së ardhshme mund të kemi edhe një trajtim shumë më serioz të afateve e natyrisht edhe përmbajtjes së marrëveshjeve të mund të kenë skadencë dhe të caktojmë një seancë tjetër të jashtëzakonshme”, ka deklaruar tutje Kusari –Lila pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Ndërkohë shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, teksa njoftoi se kanë kërkuar seancë të jashtëzakonshme për çështjen e tenderëve njëburimor, ai tha se këto kontrata konsiderohen shkelje dhe burim i madh i korrupsionit në Qeverinë Kurti.

“U kërkua të mbahet një seancë e jashtëzakonshme për tenderët njëburimor, që i ka dhënë Qeveria Kurti dhe sipas asaj që rezulton deri më tani është thyerje e çdo rekordi të mundshëm. Konsiderohet shkelje e jashtëzakonshme dhe burim i madh i korrupsionit. Deri tash konsiderohet se janë mbi 350 tenderë që janë realizuar në procedurën e prokurimit njëburimore. Kjo është një çështje që duhet të diskutohet në Kuvend. Kemi propozuar rezolutë dhe do të shohim mundësinë e krijimit të një komisioni parlamentar.”- tha Gashi.