Kuvendi i Kosovës vlerësohet si një nga institucionet më transparente dhe llogaridhënëse
Kuvendi i Kosovës ka marrë vlerësime të larta për transparencën dhe llogaridhënien, duke u cilësuar si një nga institucionet më të hapura në vend. Ky vlerësim u dha gjatë konferencës përmbyllëse “Transparenca parlamentare: Arritjet e deritanishme dhe prioritetet për të ardhmen”, organizuar nga Forumi për Transparencë Parlamentare me mbështetjen e Institutit Kombëtar Demokratik (NDI). “Kuvendi […]
Kuvendi i Kosovës ka marrë vlerësime të larta për transparencën dhe llogaridhënien, duke u cilësuar si një nga institucionet më të hapura në vend. Ky vlerësim u dha gjatë konferencës përmbyllëse “Transparenca parlamentare: Arritjet e deritanishme dhe prioritetet për të ardhmen”, organizuar nga Forumi për Transparencë Parlamentare me mbështetjen e Institutit Kombëtar Demokratik (NDI).
“Kuvendi është ndër institucionet më të qasshme”
Arbëreshë Kryeziu Hyseni, kryesuese e Forumit për Transparencë Parlamentare, theksoi progresin e bërë nga Kuvendi në rritjen e transparencës dhe qasjes publike.
“Kuvendi sot është ndër institucionet më të qasshme, të hapura dhe llogaridhënëse. Me mbështetjen e NDI dhe bashkëpunëtorëve tanë, kemi bërë një punë të jashtëzakonshme, por mbetet ende shumë për të bërë. Duhet të vazhdojmë angazhimin së bashku për të përmirësuar më tej këtë situatë,” tha ajo.
Driton Selmanaj, anëtar i Forumit për Transparencë Parlamentare, e quajti Kuvendin një storie suksesi dhe shprehu nevojën për të përmirësuar imazhin e politikanëve.
“Ky vlerësim është rezultat i përbashkët i të gjithëve. Kuvendi duhet të shihet si një institucion atraktiv që kontribuon në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Ne duhet të punojmë që imazhi i politikanëve të përmirësohet dhe të shihet si një profesion i denjë,” tha Selmanaj.
Ndërkohë, Violeta Haxholli nga KDI, një anëtare tjetër e Forumit, nënvizoi se Kuvendi ka qenë gjithmonë i hapur ndaj shoqërisë civile, por theksoi nevojën për respektimin e kodit të sjelljes nga deputetët.
“Seancat e Kuvendit janë të hapura për publikun dhe transmetohen live, duke rritur transparencën. Por është e domosdoshme që deputetët të respektojnë kodin e sjelljes, pasi kjo ndikon drejtpërdrejt në perceptimin e publikut,” tha ajo.
Në kuadër të konferencës, nxënësit e shkollës fillore “Elena Gjika” në Prishtinë prezantuan punimet e tyre mbi temën e demokracisë, zgjedhjeve dhe rolit të medieve. Aktiviteti synoi të promovojë edukimin qytetar dhe të inkurajojë të rinjtë të angazhohen në proceset demokratike.
Konferenca përmbyllëse konfirmoi përparimin e bërë nga Kuvendi i Kosovës në aspektin e transparencës dhe llogaridhënies, ndërsa theksoi nevojën për angazhim të mëtejshëm në krijimin e një ambienti politik të përgjegjshëm dhe gjithëpërfshirës.