Kushtetuesja rrëzon disa nene të Ligjit për Procedurat Tatimore, shkelin privatësinë dhe vlerat kushtetuese

29.04.2025

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shpallur të pavlefshme disa paragrafe të nenit 9 dhe paragrafin 4 të nenit 79 të Ligjit nr.08/L-257 për Administrimin e Procedurave Tatimore

Gjykata konstatoi se ato bien ndesh me Kushtetutën dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Vendimi u mor pas shqyrtimit të kërkesës së Avokatit të Popullit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas vendimit, paragrafët 5, 6 dhe 7 të nenit 9, që rregullojnë mbledhjen e informatave ose provave, u vlerësuan si shkelje e nenit 36 [E Drejta e Privatësisë] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 8 të KEDNJ-së. Gjykata konstatoi se këto dispozita nuk ishin në përputhshmëri me standardet e respektimit të jetës private.

Po ashtu, paragrafi 4 i nenit 79, i cili trajton emërimin dhe mandatin e pozitave drejtuese, u shpall i pavlefshëm pasi u konstatua se bie ndesh me nenin 7 [Vlerat] dhe nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së.

Nga ana tjetër, Gjykata Kushtetuese rrëzoi pretendimet për antikushtetutshmëri të neneve 14 (Vetë-vlerësimi), 16 (Kufizimet kohore për vlerësimet) dhe 26 (Kreditimet dhe rimbursimet), duke i vlerësuar ato si në përputhshmëri me Kushtetutën. Gjithashtu, u hodh poshtë kërkesa për shkelje të neneve 32 dhe 54 lidhur me paragrafin 12 të nenit 89, për shkak të mungesës së aktualitetit të çështjes. Kërkesa për masë të përkohshme u refuzua njëzëri.