Kurti uron Talat Xhaferin: Duam një Maqedoni sa më afër Prishtinës e Perëndimit, dhe sa më larg Moskës

28.01.2024

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar me rastin e zgjedhjes së Talat Xhaferit si kryeministër teknik në Maqedoninë e Veriut.

Kurti uron Talat Xhaferin: Duam një Maqedoni sa më afër Prishtinës e Perëndimit, dhe sa më larg Moskës Foto: Ilustrim

Kurti, ka vlerësuar se nën udhëheqjen e Xhaferit pret që Maqedonia e Veriut të afrohet sa më shumë me Prishtinën dhe Perëndimin, e të largohet nga Moska.

Synon në vazhdimin e bashkëpunimit ndërqeveritar, për të cilin e falënderon parardhësin e Xhaferit, Dimitar Kovaçevskin.

“Ish Kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, z. Talat Xhaferi dëshiroj t’i uroj suksese për detyrën e tij të re, atë të kryeministrit në qeverinë teknike e cila pas tre muajsh do ta çojë në zgjedhje vendin tonë fqinj e partner. Miqësia dhe bashkërendimi për projekte të përbashkëta uroj të jenë shenjues të dy qeverive tona gjatë qeverisjes Xhaferi.

Një Maqedoni e Veriut me orientim të fortë euroatlantik, partnere e Prishtinës dhe e perëndimit dhe sa më larg Moskës e fijeve të saj, një Maqedoni e Veriut që promovon vlerat e bashkëjetesës dhe lufton diskriminimin etnik, është ajo që dëshirojmë. Për këto synime e për plot bashkëpunime të tjera, jam i sigurt se do të vazhdojmë rrugën e bashkëpunimit ndërqeveritar edhe me homologun z.Xhaferi, ashtu siç ka ndodhur edhe me paraardhësin e tij, z. Kovaçevski, të cilin e përgëzoj për vlerat që reflektoi gjatë drejtimit të tij”, shkroi Kurti.