Kurti uron Ditën e Bashkimit të Gjermanisë: Historia na mëson fuqinë e bashkimit politik dhe kombëtar
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar Ditën e Bashkimit të Gjermanisë, e cila shënohet më 3 tetor, duke e cilësuar ribashkimin e Gjermanisë si një kapitull të rëndësishëm në historinë moderne politike të Evropës.
Në shkrimin e tij, Kurti ka rikujtuar se më 3 tetor 1990 Gjermania u ribashkua formalisht, rreth njëmbëdhjetë muaj pas rënies së Murit të Berlinit më 9 nëntor 1989.
Ai ka përshkruar historikun e ndarjes së Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore dhe rolin e saj në përplasjen mes bllokut perëndimor dhe atij lindor gjatë Luftës së Ftohtë.
Sipas Kurtit, ribashkimi i Gjermanisë përfaqëson një shembull të fuqisë së bashkimit politik dhe kombëtar, si dhe të demokracisë përballë regjimeve autoritare.
“Bashkimi i Gjermanisë më 1990, është një kapitull shumë i rëndësishëm në historinë moderne politike të Evropës, tek i cili lexojmë fitoren e demokracisë ndaj regjimeve autoritare, por tek i cili shohim edhe referencën e shembullit të fuqisë paqendërtuese dhe prosperuese të bashkimit politik dhe kombëtar”, ka shkruar Kurti.
Në fund, kryeministri ka theksuar rëndësinë e historisë në orientimin e politikës dhe aspiratave shoqërore, duke shkruar se “politika pa historinë është e verbër”.
