Kurti udhëton për në Bosnje dhe Hercegovinë, merr pjesë në ceremoninë e 30-vjetorit të gjenocidit të Srebrenicës
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar sot për në Bosnje dhe Hercegovinë për të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore me rastin e 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë.
Ceremonia do të mbahet në Qendrën Memoriale të Srebrenicës në Potoçari, ku pritet të marrin pjesë përfaqësues të lartë nga rajoni dhe bota, për të nderuar mbi 8 mijë viktimat e masakrës që ndodhi në korrik të vitit 1995.
Kryeministri Kurti do të udhëheqë delegacionin shtetëror të Republikës së Kosovës, i përbërë nga zëvendëskryeministrja në detyrë dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, si dhe zëvendëskryeministrja e tretë në detyrë, Emilija Rexhepi, e cila vjen nga radhët e komunitetit boshnjak në Kosovë.
Kujtojmë se vitin e kaluar, Qeveria e Republikës së Kosovës ka shpallur 11 korrikun si ditë përkujtimore për gjenocidin e Srebrenicës, duke e njohur zyrtarisht këtë ngjarje tragjike dhe duke u angazhuar për ruajtjen e kujtesës historike dhe nderimin e viktimave.