Kurti takon përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Bosnje dhe Hercegovinës, thekson rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim drejtues dhe përfaqësues të Odës Ekonomike të Bosnje dhe Hercegovinës, ku theksoi rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit dhe nxitjes së prosperitetit të ndërsjellë mes dy vendeve.
Sipas një njoftimi për media, Kurti vlerësoi rolin kyç që mund të luajnë komunitetet e biznesit të Kosovës dhe Bosnje dhe Hercegovinës, duke theksuar potencialin e tyre për të rritur shkëmbimet tregtare dhe për të krijuar partneritete investuese. Ai theksoi se këto partneritete do të jenë të dobishme për të dyja vendet.
“Duke rritur flukset tregtare dhe duke reduktuar barrierat logjistike, ne krijojmë një mjedis biznesi bashkëpunues dhe në të mirë të dy vendeve,” tha Kurti.
Ai gjithashtu njoftoi se vendimi i Kosovës për të lejuar në mënyrë të njëanshme qytetarët e Bosnje dhe Hercegovinës të hyjnë në territorin e Kosovës duke përdorur vetëm letërnjoftimet biometrike, i cili do të hyjë në fuqi nga 1 janari 2025, shërben si një shtysë dhe ndikim pozitiv në lëvizjen e lirë dhe marrëdhëniet mes dy vendeve.