Kurti: Punonjësit e sektorit publik do të marrin edhe pagën e 13-të

31.10.2025

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se Qeveria po miraton sot Projektligjin për ndarjet buxhetore për vitin fiskal 2026, i cili përfshin disa risi të rëndësishme për punonjësit e sektorit publik dhe qytetarët e vendit.

Në mbledhjen e qeverisë, Kurti bëri të ditur se buxheti për vitin 2026 do të arrijë në 4 miliardë euro, ndërsa një e katërta e tij – rreth 1 miliard euro – do të destinohet për investime kapitale.

Një prej risive kryesore të këtij buxheti është dhënia e pagës së 13-të për të gjithë punonjësit e sektorit publik.

“Ashtu siç e parasheh Ligji për Financat Publike, brenda afatit ligjor sot po miratojmë projektligjin për ndarje buxhetore për vitin fiskal 2026. Sikurse çdo vit, edhe ky buxhet do të ketë shumë risi. Kam kënaqësinë të ju njoftoj se është buxhet me vlerë prej 4 miliardë euro, ku një e katërta, apo rreth 1 miliard euro, janë buxhetuar për investime kapitale.
Një risi do të jetë edhe dhënia e pagës së 13-të për të gjithë punonjësit e sektorit publik. Pra, kushdo që punon së paku 12 muaj në Qeverinë tonë, në fund të vitit do të mund ta përfitojë edhe pagën e 13-të,” tha Kurti.

Kryeministri shtoi se buxheti i vitit 2026 përfshin gjithashtu rritje të pensioneve, shtesa për lehona, si dhe përfitime për të rinjtë dhe gratë që punësohen për herë të parë.

“Gjithashtu është i përfshirë edhe zbatimi i pagës bazë me 0.5 për qind për çdo vit përvojë pune. Ndryshe nga më herët, kur për 15 vitet e para zbatohej rritja vetëm 0.25 për qind, tani kjo përkthehet në rritje shtesë për pagën e secilit që punon në sektorin publik, varësisht nga vitet e përvojës.
Ky buxhet përfshin edhe rritjen e pensioneve, shtesave për fëmijë dhe lehona, si dhe pagesa mbështetëse për të rinjtë dhe gratë që angazhohen në punë,” shtoi ai.

Projektligji për ndarjet buxhetore për vitin 2026 pritet të dërgohet në Kuvend për shqyrtim dhe miratim në procedurë të rregullt ligjore.