Kurti për moscertifikimin e Listës Serbe: Çështje e KQZ-së, unë jam vetëm kryeministër

11.12.2025

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është pyetur për vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos certifikuar kandidatët e Listës Serbe, si dhe për reagimet e Ambasadës Amerikane dhe organizatave të shoqërisë civile.

Kur u pyet për deklaratën e Ambasadës Amerikane, e cila kishte thënë se “Përpjekjet e VV-së për të bllokuar certifikimin e Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës janë dritëshkurtra dhe përçarëse”, Kurti iu përgjigj shkurt: “Ajo është çështje e Ambasadës Amerikane, është çështje e KQZ-së, unë jam kryeministër i Republikës së Kosovës.”

Kryeministri bëri këtë deklaratë teksa mori pjesë në vendosjen e gurthemelit të stadiumit në Podujevë, duke shmangur komentet e mëtejshme mbi çështjen zgjedhore.

Ndërkohë, organizata Demokracia në Veprim (DnV) ka reaguar duke shprehur shqetësimin lidhur me vendimin për moscertifikim të Listës Serbe. DnV ka theksuar se ky nuk është rasti i parë që KQZ devijon nga praktikat e mëparshme, si dhe nga vendimet e PZAP-së dhe Gjykatës Supreme, duke ngritur pyetje mbi konsistencën e procedurave zgjedhore në vend.

Ky reagim vjen në një moment kur tensionet politike lidhur me zgjedhjet lokale dhe përfshirjen e komunitetit serb mbeten të larta, ndërsa Qeveria dhe institucionet zgjedhore përpiqen të menaxhojnë situatën në përputhje me ligjin.