Kurti në Shkup: Kosovës duhet t’i garantohet qasje e barabartë në programet dhe fondet e BE-së
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes, i cili u mbajt në Shkup të Maqedonisë së Veriut nën temën “Stabiliteti, Uniteti dhe e Ardhmja”.
Kurti udhëtoi mbrëmjen e kaluar drejt Shkupit për të qenë pjesë e darkës me liderët pjesëmarrës në samit, e organizuar nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski. Sot, ai mori pjesë në panelin e parë të diskutimit ndërmjet liderëve të rajonit.
Sipas njoftimit të Kryeministrisë, gjatë fjalës së tij, Kurti e vlerësoi Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian si një hap të rëndësishëm për rajonin. Ai theksoi se mbështetja e BE-së duhet të jetë në përputhje me përkushtimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor ndaj reformave, progresit demokratik dhe vlerave evropiane. Në këtë kontekst, kërkoi që Kosovës t’i garantohet qasje e barabartë në programet dhe instrumentet e BE-së.
Kurti rikonfirmoi mbështetjen e Kosovës për nismat e Bashkimit Evropian në kuadër të Planit të Rritjes, përfshirë fushat e turizmit, mbrojtjes së konsumatorit dhe “Autostradës së Tregut të Përbashkët”. Ai gjithashtu propozoi tre sektorë me potencial për bashkëpunim: shërbimet digjitale (përfshirë zhvillimin e softuerëve, sigurinë kibernetike, inteligjencën artificiale dhe teknologjitë e strukturuara), sektorin e mbrojtjes, si dhe bujqësinë dhe përpunimin e ushqimit. Sipas tij, nearshoring-u duhet të jetë i orientuar drejt partnerëve të besueshëm (friendly shoring), duke e konsideruar këtë si një mundësi për rajonin dhe për BE-në.
Në vijim të fjalës së tij, Kurti përmendi progresin e bërë që nga takimi i fundit në Kotor, përfshirë edhe kryesimin e Kosovës në CEFTA. Ai bëri thirrje për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të Procesit të Berlinit, veçanërisht për njohjen e diplomave dhe lëvizjen e lirë me letërnjoftime. Kurti përmendi rritjen e hyrjeve të qytetarëve të Bosnje dhe Hercegovinës në Kosovë pas heqjes së vizave, duke theksuar se edhe qytetarëve të Kosovës duhet t’u mundësohet e njëjta liri e lëvizjes në Bosnje dhe Hercegovinë.
Në përmbyllje, kryeministri Kurti theksoi se siguria është një parakusht për zhvillim dhe rritje. Ai theksoi se Ballkani Perëndimor nuk mund të shihet i ndarë nga rrafshi gjeopolitik i Evropës. Kurti mirëpriti angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të parandaluar pajisjen e Iranit me armë bërthamore, si dhe vendimin e anëtarëve të NATO-s në Samitin e Hagës për të rritur shpenzimet për mbrojtje në 5% të Bruto Prodhimit Vendor.