Kurti me kryetarin e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, bisedon për rregulloren e BQK-së

16.02.2024

Takimet në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih të Gjermanisë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i filloi me një bashkëbisedim me Kryetarin e Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Željko Komšić.

Kurti me kryetarin e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, bisedon për rregulloren e BQK-së Foto: Ilustrim

Bashkë ata diskutuan për zhvillimet e fundit në dy shtetet respektive dhe ndanë këndvështrimet e tyre mbi ato në rajon, me theks në rrafshin e sigurisë.

Kryeministri Kurti foli për temat aktuale, përfshirë Rregulloren e Bankës Qendrore, objektivat e saj, dhe veprimet që po ndërmarrin institucionet për të lehtësuar zbatimin e saj paralelisht me informimin e duhur publik.

U bisedua për përfitimet nga bashkëpunimi rajonal si dhe sfidat në këtë drejtim. Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë dhe nevojën e ratifikimit nga Bosnja dhe Hercegovina të marrëveshjes për lëvizjen e lirë me letërnjoftime ndërmjet dy vendeve.

Kjo marrëveshje do të lehtësonte rritjen e shkëmbimeve dhe bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Bosnjë dhe Hercegovinës.