Kurti: Mbi 56 milionë euro për modernizimin e “Kosova B” – Investimi më i madh në historinë e termocentralit
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se në Termocentralin “Kosova B” po realizohet investimi më i madh ndonjëherë që nga ndërtimi i tij.
Ky investim kap vlerën mbi 56 milionë euro dhe po financohet nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).
Sipas Kurtit, modernizimi i turbinave të termocentralit po bëhet për herë të parë pas më shumë se 40 vjetësh, ndërsa në këtë projekt janë përfshirë ekspertë të kompanisë amerikane General Electric (GE) – kompania që fillimisht kishte dizajnuar teknologjinë e turbinave në këtë termocentral.
“Ekspertët e GE, të cilët para 40 vjetëve kishin dizajnuar teknologjinë e turbinave të Termocentralit ‘Kosova B’, sot po punojnë krah për krah me punëtorët e palodhshëm të KEK-ut për modernizimin e tyre,” ka deklaruar Kurti.
Ai shtoi se përmes këtij investimi kapital po sigurohet një furnizim më i qëndrueshëm me energji elektrike në vend, duke u reduktuar varësia nga importi dhe duke u shtuar kapacitetet e prodhimit vendor.
“Me këtë investim kapital po sigurohet më shumë prodhim vendor, po rritet siguria e furnizimit dhe ulet varësia nga importi”, theksoi Kurti në një postim të shoqëruar edhe me pamje nga puna në terren, të shpërndara nga KEK.