Kurti: Kosova meriton të vlerësohet në baza meritokracie, jo nën masa ndëshkuese
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar në Facebook me rastin e Ditës së Evropës, duke theksuar se Kosova frymëzohet dhe mishëron vlerat më të larta të demokracisë, lirisë dhe paqes, dhe se meriton të vlerësohet në baza meritokracie në procesin e integrimit evropian.
Duke shënuar 75-vjetorin e Deklaratës së Robert Schumanit, që hodhi bazat e themelimit të Bashkimit Evropian, Kurti ka theksuar se këto dy ditë të rëndësishme për historinë e Evropës, Dita e Fitores ndaj nazizmit dhe Dita e Evropës, festohen në perëndim, dhe jo në lindje.
“Në katër vitet e fundit kemi bërë hapa të mëdhenj në procesin e integrimit evropian, por vendi ynë meriton më shumë. Meriton të jetë pjesë e një procesi të bazuar në meritokraci, meriton të vlerësohet në baza të tilla edhe aplikimi ynë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, e meriton që mos të mbahet më nën masa ndëshkuese të cilat ishin të padrejta që nga fillimi,” ka shkruar Kurti.
Ai ka theksuar se situata gjeopolitike në Evropë dhe botë, me agresionin rus ndaj Ukrainës, rrit nevojën për unitet, bashkëpunim dhe vlera demokratike, duke vënë në dukje se Kosova e ka orientim të natyrshëm Bashkimin Evropian.
“Për ne Bashkimi Evropian nuk është zgjidhje, por zgjedhje. Robert Schuman teksa iu referonte ngjarjeve të Luftës së Dytë Botërore, thoshte në deklaratën e tij se: ‘Një Evropë e bashkuar nuk u arrit dhe ne patëm luftë’,” ka cituar Kurti.
Në fund, ai ka bërë thirrje për mësim nga historia dhe për një Evropë më të bashkuar, me shtete demokratike që kontribuojnë për paqe, liri, siguri dhe prosperitet.