Kurti: Kemi rritur buxhetin për arsim për 12%

19.09.2022

Në prani të nxënësve nga Kosova, Shqipëria, Gjermania, Franca dhe Maqedonia e Veriut, dhe ligjërues nga e gjithë Evropa, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e Kampit veror ndërkombëtar 2022. Edu Kamp 2022, organizohet nga shoqata gjermane Education Unlimited, e bashkë financuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit […]

Kurti: Kemi rritur buxhetin për arsim për 12% Foto: Ilustrim

Në prani të nxënësve nga Kosova, Shqipëria, Gjermania, Franca dhe Maqedonia e Veriut, dhe ligjërues nga e gjithë Evropa, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e Kampit veror ndërkombëtar 2022. Edu Kamp 2022, organizohet nga shoqata gjermane Education Unlimited, e bashkë financuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Republikës së Kosovës dhe ndihmuar nga gjimnazi Loyola.

Ky kamp veror, për 83 të rinj nga 5 vende të ndryshme, është mundësuar sepse të gjithë ne që jemi sot këtu, e njohim dhe e çmojmë vlerën e një shoqërie të arsimuar mirë, tha Kryeministri Kurti.

Ai theksoi se të gjithë besojmë se çdo njeri duhet t’i ketë të drejtat e njëjta, ndërsa Qeveria angazhohet me punë, që në shoqërinë tonë të gjithë t’i kenë edhe mundësitë e njëjta.

Kryeministri potencoi se për këtë synim Qeveria e Republikës së Kosovës ka rritur buxhetin për arsim për 12%. Ka bërë arsimin publik falas për nivelin baçelor dhe master. Ka ndarë mbi 3.000 bursa për studentët e dalluar për studime brenda dhe jashtë vendit. Për mbyllje të hendekut gjinor, janë ndarë 1.365 bursa për vajzat dhe gratë studente të fushave STEM. 106 bursa për nxitjen e vajzave për të ndjekur profile teknike dhe nxitjen e djemve për të ndjekur profile deficitare.

Janë ndarë 957 kuponë për maturantë të shkollave profesionale për të ndjekur kurse të teknologjisë së informacionit; tekste shkollore në gjuhët e të gjitha komuniteteve që jetojnë në vendin tonë; 150.000 euro për bursa për nxënësit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian; 3.500.000 euro për ofrimin e praktikës profesionale për nxënësit e shkollave të arsimit dhe aftësimit profesional. Për të mbyllur hendekun e shkathtësive, ka filluar pilotimi i arsimit dual në katër profile nga viti shkollor 2022/2023, për muratorë, floktarë, asistentë të hotelerisë dhe kuzhinier; Për herë të parë kemi ndarë buxhet për mësimdhënësit me probleme shëndetësore – 1.7 milionë euro, nga të cilat përfitojnë rreth 300 mësimdhënës.

Për herë të parë kemi filluar zbatimin e skemës për mësimdhënie të bazuar në hulumtim, si formë e nxitjes së punës shkencore-hulumtuese edhe në mësimdhënie në arsimin e lartë, tha kryeministrit Kurti.

Duke uruar për organizimin e këtij kampi veror dhe duke u dëshiruar mbarësi, kryeministri e përmbylli fjalimin duke theksuar se dashuria për dijen dhe shkencën, do të thotë dashuri për njerëzimin dhe zhvillimin.

Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti:

E nderuara kryetare e Education Unlimited, zonja Zielosko,
I nderuar drejtues i programit, zotëri Krasniqi,
I nderuar Ministër i Arsimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z.Aliu,
I nderuari Ambasador Rohde,
E nderuara ish-Ministre, zonja Eisenmann,
I nderuar drejtor i shkollës Loyola, zotëri Koller,
I nderuar kryetar i Komunës së Prizrenit, zotëri Totaj,
I nderuar kryetar i Komunës së Drenasit, zotëri Lladrovci,
I nderuari veprimtar i madh për arsim, përveçse sportist i famshëm, z.Luan Krasniqi,
Të nderuar folës dhe ligjërues të kampit veror 2022,
Të nderuar mësimdhënës dhe drejtorë të shkollave pjesëmarrëse nga Tetova, Shkupi, Peshkopia, Strasburgu, Heubachu, Holzgerlingeni, Drenasi, Gjilani dhe Gjakova,
Të dashur nxënës,
Zonja dhe zotërinj,

Ju uroj mirëseardhje të ngrohtë, sidomos juve që udhëtuat enkas nga qytete jashtë Kosovës, për të qenë sot këtu. Mirë se keni ardhur në vendin e miqve tuaj.

Ky është viti i dytë me radhë që kam kënaqësinë ta hapi kampin veror të organizuar nga shoqata gjermane Education Unlimited, e bashkë financuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Republikës së Kosovës. Ky kamp veror, këtë vit është ndihmuar nga gjimnazi Loyola, ku gjendemi sot, dhe ku do të mbahen të gjitha ligjëratat dhe punëtoritë.

E dashur Kerstin, më lejoni të ju falënderoj juve veçanërisht, dhe të gjithë mbështetësit tuaj, për punën e palodhshme që bëni, për t’i dhënë kuptim të plotë emrit të organizatës suaj: Edukim pa limite.

Ky kamp veror është një mundësi e shkëlqyeshme për të njoftuar nxënës të rinj nga Shqipëria, Kosova, Gjermania, Franca dhe Maqedonia e Veriut, të zhvilloni respekt dhe mirëkuptim për njëri-tjetrin dhe për kulturat e ndryshme që sjellni këtu.

Të gjithë ju nxënëse dhe nxënës, që jeni sot këtu dhe do të qëndroni gjatë gjithë javës për një program të mrekullueshëm me ligjërues nga e gjithë Evropa, ju uroj shumë kënaqësi dhe momente të veçanta. Ditët në vijim, do të jenë ditë përplot informacione të reja, por edhe ditë ku do të lidheni edhe më shumë me njëri-tjetrin.

Të nderuar të pranishëm,

Ky kamp veror, për 83 të rinj nga 5 vende të ndryshme, është mundësuar sepse të gjithë ne që jemi sot këtu, e njohim dhe e çmojmë vlerën e një shoqërie të arsimuar mirë. Mbase mund të ketë këtu pjesëmarrës të rinj, të cilët nuk e njohin dhe aq historinë e Kosovës. Vendi ynë nuk është lejuar të zhvillojë mësimin në gjuhën shqipe gjatë viteve të ‘90-ta, nga regjimi shtypës i Serbisë. Por, ne kishim mësimdhënës të guximshëm, burra e gra, që rrezikuan jetën e tyre për edukimin e fëmijëve tanë. Pa këto mësime, të cilat mbaheshin fshehtë nëpër shtëpi-shkolla, nëpër bodrume të fshehta, Kosova nuk do të ishte ndër vendet e lira dhe demokratike që është sot, e që beson në vlera evropiane. Dikur arsimi ishte rezistencë e sot arsimi bëhet zhvillim.

Të dashur të rinj,

Në secilin nga ju që jeni sot këtu është një çelës. Një çelës që nëse zbulohet mund t’ju hapë derën për një botë më të mirë. Pra, në secilin nga ju ka një potencial të madh i cili pritet të zbulohet dhe të përdoret për ndryshime që mund ta ndihmojnë shoqërinë në të cilën jetojmë – pse jo edhe ta ndryshojnë botën. Zbulimi i plotë i potencialit që ju keni përbrenda është çelësi i vetëm që do të ja u sjellë lumturinë e vërtetë. Lumturi që nuk matet me mjete materiale, por me dashuri për dijen dhe për njerëzimin.

Jetojmë në një botë dhe kohë me përplot sfida, siç janë ndryshimet klimatike, polarizimi politik ekstrem dhe luftërat e pakuptimta, si agresioni rus në Ukrainë. Sfida që rëndojnë mbi supet tona e mbi të ardhmen tuaj.

Të dashur ligjërues, profesorë dhe mësimdhënës,

Ju mbani mbi supet tuaja detyrën e përjetshme. Keni zgjedhur përgjegjësinë morale dhe aq fisnike që këtyre të rinjve t’u ndihmoni për ta zbuluar potencialin e tyre dhe t’u qëndroni pranë me dijen tuaj. T’i ndihmoni këtij brezi që ta ndihmojë më pas brezin që pason.

Të gjithë ne besojmë se çdo njeri duhet t’i ketë të drejtat e njëjta – por ne si Qeveri angazhohemi me punën tonë, që në shoqërinë tonë të gjithë t’i kenë edhe mundësitë e njëjta. Barazi në fillim të shtegut.

Për këtë synim kemi rritur buxhetin për arsim për 12%. Kemi bërë arsimin publik falas për nivelin baçelor dhe master. Kemi ndarë mbi 3.000 bursa për studentët e dalluar për studime brenda dhe jashtë vendit. Për mbyllje të hendekut gjinor, kemi ndarë 1.365 bursa për vajzat dhe gratë studente të fushave STEM. 106 bursa për nxitjen e vajzave për të ndjekur profile teknike dhe nxitjen e djemve për të ndjekur profile deficitare.

Kemi ndarë 957 kuponë për maturantë të shkollave profesionale për të ndjekur kurse të teknologjisë së informacionit; tekste shkollore në gjuhët e të gjitha komuniteteve që jetojnë në vendin tonë; 150.000 euro për bursa për nxënësit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian; 3.500.000 euro për ofrimin e praktikës profesionale për nxënësit e shkollave të arsimit dhe aftësimit profesional.

Për të mbyllur hendekun e shkathtësive, kemi filluar pilotimin e arsimit dual në katër profile nga viti shkollor 2022/2023, për muratorë, floktarë, asistentë të hotelerisë dhe kuzhinier; Për herë të parë kemi ndarë buxhet për mësimdhënësit me probleme shëndetësore – 1.7 milionë euro, nga të cilat përfitojnë rreth 300 mësimdhënës.

Për herë të parë kemi filluar zbatimin e skemës për mësimdhënie të bazuar në hulumtim, si formë e nxitjes së punës shkencore-hulumtuese edhe në mësimdhënie në arsimin e lartë.

Të nderuar të pranishëm,

Duke u uruar për organizimin e këtij kampi veror dhe duke ju dëshiruar mbarësi, po e përmbylli fjalimin tim sikurse vitin e kaluar, duke përsëritur edhe një herë: Dashuria juaj për dijen dhe shkencën do të thotë dashuri për njerëzimin dhe zhvillimin.

Ju falemnderit.