Kurti jep dorëheqje nga posti i kryeministrit para betimit si deputet
Albin Kurti ka dorëzuar zyrtarisht dorëheqjen nga posti i kryeministrit të Kosovës, pak para se të betohej si deputet në seancën konstituive të legjislaturës së nëntë të Kuvendit.
Lajmi u bë i ditur përmes një letre të dërguar në Sekretariatin e Kuvendit, të cilën e publikoi Telegrafi. Në letër, Kurti shpjegon se dorëheqja e tij është efektive që nga data 23 mars 2025, kur përfundoi mandati i plotë katërvjeçar i qeverisë së tij.
“Që nga data 23 mars kur përfundoi mandati i plotë katërvjeçar I qeverisë sonë, qeveria është në detyrë/dorëheqje. Në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi me deklaratën që kam dhënë dhe është pranuar në KQZ me datë 27 mars 2025 dhe me qëndrimin tim publik të po asaj dite, efektivisht jam i dorëhequr bashkë me kabinetin qeveritar,” shkruan Kurti në letër.
Ai thekson se ky veprim është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, si dhe me deklaratën e tij të mëparshme të pranuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
“Për qëllim betimin si deputet i Kuvendit të Kosovës të legjislaturës së nëntë, po e përcjelli edhe zyrtarisht njoftimin tim për dorëheqje nga posti ekzekutiv, veçse efektiv që nga data e lartëcekur sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi,” vazhdon letra.
Dorëheqja e Kurtit vjen në një moment kyç, teksa Kuvendi i Kosovës po zhvillon seancën konstituive për formimin e legjislaturës së re. Seanca filloi pas orës 10:00 dhe pritet të përcaktojë hapat e ardhshëm politikë në vend.