Kurti: Ibrahim Rugova kishte udhëhequr Alternativën për pavarësi me një rezistencë paqësore

para 58 dite

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë sot në përurimin e shtatores së presidentit Ibrahim Rugova në qytetin e Podujevës me rastin e 34 vjetorit të Kushtetutës së Kaçanikut.

Kurti: Ibrahim Rugova kishte udhëhequr Alternativën për pavarësi me një rezistencë paqësore

Kurti ka shkruar se derisa Anton Çetta i kishte prirë pajtimit të gjaqeve dhe Adem Demaçi ishte kthyer tek populli pas 28 vitesh burg, Ibrahim Rugova kishte udhëhequr Alternativë për pavarësi me një rezistencë paqësore.

Kryeministri ka përmendur edhe Ejup Statovcin e Ukshin Hotin dhe emra të tjerë që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në rrugën e Kosovës për liri dhe pavarësi.

Tutje kreu i VV-së ka shkruar se me fjalën e qetë dhe të urtë dhe me punëne vazhdueshme dhe durim, Rugova kishte përfaqësuar politikat e tij në Kosovës, për liri, demokraci dhe pavarësi.

Shkrimi i plotë i Kurtit:

 Në përvjetorin e 34-të të Kushtetutës së Republikës së Parë të Kosovës, e njohur si Kushtetuta e Kaçanikut, sot me 7 shtator, në Podujevë u zbulua shtatorja e Dr. Ibrahim Rugovës, Presidentit të parë të Kosovës (24 maj 1992) dhe njëkohësisht Presidentit të parë të Kosovës së çliruar (4 shkurt 2002).

Fillimi i dekadës së fundit të shekullit të kaluar ishte i rëndë dhe i vështirë, por: Dr. Gazmend Zajmi ishte në krye të hartimit të kushtetutës për mëvetësi me vetëvendosje; Anton Çetta i printe pajtimit të gjaqeve mes shqiptarëve; Adem Demaçi u kthye te populli i tij pas gjithsej 28 vite nëpër burgje; Dr. Ibrahim Rugova e udhëhiqte Alternativën për pavarësi me një rezistencë paqësore; Dr. Ejup Statovci ishte në krye të rimbëkëmbjes së Universitetit të Prishtinës; Ukshin Hoti organizonte demonstrata popullore e shkruante për demokraci autentike; Akademik Rexhep Qosja dominonte debatet historike dhe frymëzonte rininë patriotike; etj. E në fillim të asaj dekade, pasi ishin kthyer nga stërvitjet ushtarake në Shqipëri, Adem Jashari, Zahir Pajaziti dhe Sali Çekaj organizonin grupet e armatosura drejt formimit të UÇK-së.

LEXO EDHE:  Kurti nesër në Zvicër, takohet me mërgatën

Qëndresa shoqërore që i parapriu protestave aktive studentore dhe luftës së lavdishme çlirimtare, kërkonte angazhim intelektual e kontribut qytetar, përkushtim kombëtar e nivel kulturor, vetëdije politike e afirmim ndërkombëtar. Me fjalën e qetë dhe të urtë, me punën e vazhdueshme dhe të durueshme, Presidenti Rugova përfaqësonte politikat e tij në Kosovë dhe jashtë saj, për liri, për demokraci dhe për pavarësi.

Kjo shtatore e Presidentit Ibrahim Rugova në Podujevë, e realizuar si vepër arti nga skulptori Gëzim Muriqi, e pasuron ikonografinë e shesheve tona publike në nderim dhe kujtim për të.