Kurti i shpreh keqardhje zyrtares amerikane që Kosova s’u fut në agjendë për anëtarësimin në KiE

19.05.2024

Kryeministri Albin Kurti ia ka shprehur Nënsekretares amerikane të Shtetit për Diplomaci Publike, Liz Allen, keqardhjen e tij që Komiteti i Ministrave nuk e përfshiu Kosovën në agjendën e takimit të së premtes, për ta pranuar në Këshillin e Evropës, siç njofton Zyra e Kryeministrit.

Kurti i shpreh keqardhje zyrtares amerikane që Kosova s’u fut në agjendë për anëtarësimin në KiE Foto: Ilustrim

Kurti i ka thënë diplomates amerikane se “Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret e anëtarësimit në këtë organizatë”.

“Sa i përket rrugëtimit të Kosovës në integrimet evropiane, ai shprehu keqardhjen e tij që Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës nuk pati gatishmëri që ta përfshijë Kosovën në agjendën e votimit të 17 majit, duke marrë parasysh se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret e anëtarësimit në këtë organizatë, siç është konfirmuar edhe nga instancat e vetë kësaj organizate, përfshirë Asamblenë Parlamentare, dhe kur dihet që anëtarësimi i ynë do t’i kontribuonte forcimit dhe promovimit të të drejtave të njeriut”, njofton ZKM.

Ata diskutuan “edhe për raportet Kosovë-Serbi dhe procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”, thotë Zyra e Kurtit.

“Për këtë çështje, kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë e të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike dhe aneksit të saj”, njofton ZKM.

Gjatë bashkëbisedimit, ZKM thotë se Kurti e njohu nënsekretaren Allen me zhvillimet e fundit në vend, “me progresin e shënuar në vitet e fundit në sundimin e ligjit dhe indikatorët ekonomikë dhe demokratikë, me politikat sociale që mbështesin gratë dhe fëmijët, reformën në arsim me qëllim ndërlidhjen e arsimit me tregun e punës, dhe me politikat dhe investimet në sektorin e energjisë”.

“Për këtë të fundit, ai falënderoi nënsekretaren Allen për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara përmes USAID-së në përgatitjen dhe përmbylljen e suksesshme të ankandit të parë të energjisë solare dhe programit Kompakt të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) i cili hyri në fuqi në fund të muajit të kaluar. Në takim, kryeministri ngriti brengën e tij mbi kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë ndaj Kosovës, edhe për faktin që autori dhe lideri i grupit të terroristëve dhe paramilitarëve që ekzekutuan sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë, Millan Radoiçiq, vazhdon të jetë i lirë në Serbi”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.