Kurti i bën thirrje BE-së për ndërhyrje ndaj shtypjes së shqiptarëve në Luginën e Preshevës

11.02.2025

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ngritur zërin për shtypjen e vazhdueshme ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës përmes një letre drejtuar Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas.

Kurti i bën thirrje BE-së për ndërhyrje ndaj shtypjes së shqiptarëve në Luginën e Preshevës Foto: Ilustrim

Ai ka denoncuar shkeljet sistematike të të drejtave të njeriut që po përjeton ky komunitet nga regjimi serb dhe Beogradi zyrtar.

Në letrën e tij, Kurti theksoi se diskriminimi ndaj shqiptarëve në këtë rajon është politik, administrativ, ekonomik, kulturor dhe identitar, duke vënë në rrezik sigurinë dhe ekzistencën e tyre. Sipas tij, ndryshe nga Kosova, ku komuniteti serb gëzon të drejta dhe liri të plota, shqiptarët në Serbi përballen me pasivizimin e adresave, spastrim etnik administrativ dhe mungesë të përfaqësimit në institucionet publike.

Kryeministri ka sjellë në vëmendje disa të dhëna alarmante:

  • Mbi 10% e shqiptarëve janë fshirë nga listat e votuesve, duke humbur të drejtën themelore të votës.
  • Papunësia në zonat shqiptare varion nga 30% deri në 70%, shumë më e lartë se mesatarja e Serbisë prej 12%.
  • Në spitalin rajonal të Vranjës, nga mbi 1000 punonjës, vetëm dy janë shqiptarë, ndërsa në Medvegjë, nga 2000 punonjës komunalë, vetëm 12 janë shqiptarë.
  • Shqiptarëve u mohohet e drejta për arsim në gjuhën e tyre dhe diplomat e tyre nuk njihen.

Gjithashtu, Kurti ka ngritur shqetësime për militarizimin e rajonit nga Serbia, duke përmendur ndërtimin e bazave ushtarake në Bujanoc dhe vendosjen e 48 bazave operacionale përgjatë kufirit me Kosovën. Ai theksoi se vendosja e shërbimit të detyrueshëm ushtarak nga qeveria serbe është një kërcënim i drejtpërdrejtë për shqiptarët e Luginës, që mund të çojë në shpërngulje masive dhe përsëritjen e traumave të së kaluarës.

Në përfundim, Kurti i bëri thirrje Bashkimit Evropian dhe bashkësisë ndërkombëtare të reagojnë urgjentisht ndaj shtypjes sistematike që po përjetojnë shqiptarët në Serbi, duke e cilësuar atë si në kundërshtim me vlerat evropiane dhe demokratike.