Kurti falënderon ekipet e angazhuara për kërkimin në Ujman dhe shpreh ngushëllime për familjen Latifi

29.07.2025

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas përfundimit të operacionit të kërkimit në Liqenin e Ujmanit, ku u gjet trupi i pajetë i Rrahim Latifit.

Përmes një deklarate, Kurti ka falënderuar të gjitha institucionet dhe ekipet që morën pjesë në operacionin e kërkim-shpëtimit, duke theksuar përkushtimin e tyre të vazhdueshëm dhe profesionalizmin e treguar gjatë gjithë procesit.

“Falënderoj Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Forcën e Sigurisë së Kosovës, Policinë e Kosovës, Shoqatën e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim, Klubin e Zhytjes ‘Trepça’ dhe KFOR-in për punën profesionale, përkushtimin e jashtëzakonshëm dhe angazhimin e pareshtur deri në gjetjen e trupit të pajetë të Rrahim Latifit në liqenin e Ujmanit,” thuhet në deklaratë.

Në të njëjtën kohë, Kurti ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen e të ndjerit.

“Familjes Latifi i shprehim ngushëllimet më të përzemërta dhe ju qëndrojmë pranë në këto momente të vështira për të ofruar gjithë mbështetjen tonë e për të ndarë me ta dhimbjen e madhe,” ka përfunduar ai.